Amy, mbretëresha "në distancë" e "Grammy"-t
Në edicionin e 50-të të Grammy Awards", "Oskarët" e muzikës, Amy Winehouse u kurorëzua si mbretëresha e mbrëmjes. Këngëtarja britanike ka fituar 5 nga 6 çmimet, për të cilat ishte kandidate për nominim. Surpriza e "edicionit të artë" që konsiderohet edhe si evenimenti më i madh i industrisë muzikore botërore, ka qenë Herbie Hancock, pianisti amerikan, që kundër të gjitha parashikimeve, mori çmimin më të rëndësishëm, atë për diskun më të mirë të vitit: homazh për yllin e të gjitha kohërave Joni Mitchell, "River: The Joni letters".
Kështu, Winehouse, ylli i talentuar britanik, e cila ka ndërprerë terapinë e saj kundër drogës dhe ka kënduar përmes valëve satelitore nga Londra nuk ka mundur të arrijë në objektivin historik duke i eklipsuar të gjithë pjesëmarrësit.
Diva e muzikës ‘soul‘ ka marrë numrin më të madh të votave në kategoritë: kënga më e mirë e vitit, artistja e zbuluar më e mirë e vitit, disku i vitit, interpretuesja më pop femër, albumi më i mirë pop. Pas marrjes së çmimeve, Amy ka kënduar dy nga sukseset e saj më popullore: "You know Ìm no good" dhe "Rehab". Albumet më të mira janë cilësuar "Back to Black" i Winehouse dhe "Graduation" i Kanye West, të cilët kanë qëndruar për javë të tëra në majë të klasifikimeve.
Fakti që Amy nuk arriti t‘ia dilte mbanë, është sigurisht një goditje për të, të cilës nuk i mungojnë problemet në anën personale. Padyshim që i zhgënjyer ka mbetur edhe ylli i muzikës hip-hop amerikani, Kanye West, që prej tetë kandidaturave ka marrë vetëm katër çmime. Rreperi i Atlantës i ka ofruar publikut të "Staples Center" në Los Angeles, këngën "Stronger", për të cilën ka bashkëpunuar me grupin tekno "Daft Punk", ndërsa kënga e dytë, e cilësuar si shumë intime dhe personale "Hey mama", është një homazh shumë emocionues ku West, kujton nënën e cila vdiq në nëntor për shkak të komplikacioneve pas një operacioni të kirurgjisë estetike. Ndër çmimet që mori, ishin ato për "diskun më të mirë rep" për këngën "Graduation" dhe "interpretimi më i mirë rep", për "Stronger".
LOT GËZIMI- Amy këndoi nga një klub londinez, në orën 4:40 të mëngjesit për të qenë direkt me studiot e Los Anxhelos. Brenda në lokal me të ishin vetëm miqtë më të ngushtë dhe familjarët, ndërsa jashtë ishin mbledhur qindra fansa që e pritën artisten pas performancës. Amy Winehouse nuk është shfaqur në formën e saj më të mirë, por këndoi pa e humbur kontrollin e situatës (ndryshe nga ç‘i ndodhi pak muaj më parë, para se t‘u nënshtrohej kurave kundër drogës dhe alkoolit).
Pas lajmit për çmimet e fituara, ajo u mallëngjye dhe mes lotësh falënderoi nënën e babanë dhe ia dedikonte suksesin bashkëshortit të saj që ndodhet në burg për punë të pista, kërcënime dhe dëshmi false.
"Këto çmime janë edhe për Londrën", është shprehur ajo.
ÇMIMET - Përveç Herbie Hancock, Amy Winehouse e Kanye West, mes fituesve renditet edhe Bruce Springsteen, i cili ka marrë tri çmime.
Gjithashtu, fitues i çmimit "Grammy" në kategorinë "albumi më i mirë i folur", ka qenë edhe senatori afro-amerikan, Barack Obama. Ky çmim i është dhënë për autobiografinë e tij: "Guximi i shpresës: ëndrra amerikane për një botë të re", në versionin audio-libër.
Nuk është hera e parë që senatori amerikan rrëmben çmimin më të lakmuar të industrisë muzikore: në vitin 2006, u vlerësua me këtë çmim për "Ëndrrat e babait tim".
Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë ka mundur edhe një herë Clinton-ët, këtë herë jo Hillary-n por Bill-in. Ish-presidenti ishte në garë me versionin audio të "Giving: how each of us can change the world" (Dhuroj: si mund ta ndryshojë botën secili prej nesh), e gjithashtu edhe Jimmy Carter me gjykimin e tij për paqen në botë që ndryshon.