E Diel, 1 Nëntor 2026

Bab e bir, të dhënë pas një banese

Banesa mbi të cilën është
vendosur Muzeu Etnografik
në Berat daton 400 vjet
më parë. Një inxhinier restaurues
ka ndjekur gjurmët e të atit për të
sjellë dëshmitë më të hershme
rreth banesës me vlera të mëdha.
I pari që ka studiuar për qytetin
e Beratit ka qenë Vasfi Samimi, i
cili në punën e tij studiuese rreth
vlerave të Beratit është ndalur
dhe në banesën karakteristike,
duke u mahnitur nga vlerat,
bukuria dhe eleganca e saj. Më
pas do të ishte djali i tij, Genci,
i cili do të impresionohej nga ky
qytet dhe do ndiqte gjurmët e të
atit për të studiuar rreth qytetit,
por në veçanti për banesën karakteristike.
Ndikuar nga profesioni
i restauruesit, por shtyrë
dhe nga pasioni, ai do të lidhej
në mënyrë të pazgjidhshme me
këtë qytet. Është pikërisht kjo
banesë e shndërruar në muze me
të cilën beratasit do të krenohen
edhe më shumë për një tjetër
vlerë të këtij qyteti 2400-vjeçar,
e cila do të tërhiqte vëmendjen e
restauruesit. Faktet më të fundit
që dëshmojnë se banesa ku ndodhet
muzeu është sa më pak e as
më shumë por 400-vjeçare i sjell
pikërisht restauruesi që është lidhur
ngushtë prej vitesh me këtë
qytet, Genc Samimi. Inxhinierrestaurues
ai është lidhur me
këtë banesë që prej vitit 1967,
vit në të cilin ka qenë në grupin
e restauruesve të kësaj banese, e
cila vetëm tri vite më parë ishte
shndërruar në muze. Profesor Samimi
shprehet në një prononcim
për gaztën "Shqip" se "do të ishin
pikërisht vlerat e kësaj banese, të
cilat do të ndiznin tek ai dëshirën
për të zbuluar të fshehtat e saj.
Fillimisht ka qenë i ati i tij i cili ka
studiuar mbi historikun e qytetit
të Beratit, duke u ndalur rreth
historikut të banesës. Banesa me
çardak dhe një palë shkallë do t‘i
dëshmonte inxhinierit restaurues
se ajo ishte një banesë tipike
beratase që datonte 400 vjet më
parë. Por, ndërsa ka mbledhur të
parat dëshmi rreth kësaj banese,
një ndër më të bukurat më lagjen
"22 Tetori", Samimi do t‘i kthehej
historikut të saj shumë vite më
pas. Prej disa muajsh ai mësohet
se në bashkëpunim me ndihmën
e specialistit pranë Drejtorisë së
Monumenteve të Kulturës në
Berat do të riniste studimet rreth
banesës tipike me bindjen e plotë
se ajo datonte plot 400 vjet më
parë. Dëshmia më bindëse për
profesorin do të ishin disa shtylla
prej druri që ndodhen në hajatin
e banesës, të cilat kanë të njëjtat
përmasa, formë dhe prerje si
Kisha e Vëllaherësh, e cila daton
rreth viteve 1600. Po kështu dhe
zbukurimet e brendshme, ngjyrat
në musëndrat e dhomave, si dhe
forma e tavanit janë të njëjta me
banesat që përkojnë me këtë periudhë.
Profesori shpjegon se gjatë
kohës që u bë restaurimi i saj u
pikas se në pjesën e brendshme
të murit, në një prej dhomave të
banesës, dolën në pah dëshmi që
tregojnë se mënyra e ndërtimit
të oxhakut pikërisht në dhomën
e miqve i përket ndërtimit të 400
viteve më parë. Po kështu studimet
tregojnë se dhe në pjesën
e jashtme perimetri i murit të
banesës përkon me ndërtimet
e plot 400 viteve më parë. Dhe
pse ndër vite banesa ka pësuar
ndryshime, profesioni nuk e ka
pasur të vështirë të dëshmojë
nëpërmjet detajeve origjinalitetin
e banesës. Këto dëshmi dhe
të tjera kanë bërë që profesori
nuk ka se si të mos ndihet krenar
rreth zbulimit të tij mbi muzeun
etnografik vendosur në një banesë
tipike beratase. Gjithsesi,
profesor Samimi shprehet se sa
më shumë të hulumtosh në Berat,
aq më shumë do të kuptosh
se ky qytet përmban mistere të
çmuara. Kjo ish-banesë prej vitesh
e shndërruar në muze është
një prej vlerave të Beratit, qytet i
cili pret të renditet ndër vlerat e
njerëzimit, UNESKO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›