Konferencë Shkencore për Kongresin e Alfabetit dhe për Çabejn
Akademia e Shkencave vendos të përkujtojë 100-vjetorin e dy ngjarjeve të rëndësishme kulturore e shkencore në historinë e kombit shqiptar. Kongresi i Manastirit apo Kongresi i Alfabetit, siç thirret ndryshe forumi kombëtar që unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe, si edhe jubileu i akademikut të madh Eqrem Çabej, i cili sivjet ka 100-vjetorin e lindjes, do të përkujtohen përmes konferencave shkencore. Sesioni i Shkencave Shoqërore ka vendosur pikërisht këto ditë për mënyrën e përkujtimit të këtyre dy eventeve të historisë sonë kombëtare. I mbledhur më 4 shkurt në Akademinë e Shkencave, ky organizëm ka marrë masat përkatëse, duke ngritur komisionet e punës me përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike, Fakulteti i Filologjisë së UT, universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastrës. Sipas deklaratës për shtyp të këtyre komisioneve, veprimtaritë për Kongresin e Manastirit dhe për nderim të gjuhëtarit Eqrem Çabej do të realizohen në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe qendra të tjera albanologjike.