E Diel, 1 Nëntor 2026

Ata duheshin eliminuar që të gjithë

Ishte laroja më i besuar i Pol Potit, një matematikan brilant, i cili me qetësinë që e karakterizonte arriti të krijonte një aparat të sofistikuar torture dhe vdekjeje. Ishte pikërisht ky njeri-monstër që gjatë mbretërimit të terrorit të Kmerëve të Kuq mori në pyetje dhe asistoi në torturat deri në vdekje të 17 mijë kamboxhianëve.

Në Perëndim e kanë konsideruar gjithmonë "Hajnrik Himleri i Kamboxhias". Që kur vetë Pol Poti dhe lejtnanti i tij, Ta Mok, i bënë bisht daljes para drejtësisë, duke qenë se më parë se të merreshin në pyetje për krimet e tyre i "mori" vdekja, "Hilmeri" është simboli i fundit i mbetur gjallë i Kmerëve të Kuq. Emri i tij është Kang Khek Ieu, por njihet më shumë me nome de guerre (emrin e luftës) Duch që shqiptohet Doik. Këtë pranverë, 28 vjet pas iku nga Kamboxhia para se të mbërrinte ushtria vietnameze, do të nisë gjykimi ndaj tij për akuzat e vrasjeve në masë. Në intervistën e parë që ka dhënë që pas kapjes 8 vjet të shkuara, ai flet lirshëm për mënyrën dhe mjetet me të cilat dërgoi 17 mijë kamboxhianë në fushat e vdekjes. Edhe pse pret të përballet gjatë procesit gjyqësor me provat e krimeve të tij, deklaron se në atë periudhë nuk kishte pasur asnjë lloj zgjedhjeje. "Çdokush që mendohej se përbënte një rrezik për revolucionin duhej torturuar dhe vrarë", thotë vetë i akuzuari. I pyetur në lidhje me ndonjë ndjenjë ngurrimi që mund të kishte provuar kur kishte marrë në qafë 17 mijë vetë, apo në lidhje me ndonjë rebelim të kamboxhianëve ndaj masakrave të tilla përgjigjja ishte: "Gjithçka bëhej në heshtje dhe askush nuk guxonte të bënte ndonjë vërejtje, për më tepër ndonjë rebelim, pasi fundi dihej. Unë dhe të gjithë të tjerët që merreshim me individët e dinim që ata që do të na binin në dorë në vendin e torturave dihet që fillimisht të shkatërroheshin psikologjikisht e më pas të eliminoheshin ose nga puna e rëndë ose nga torturat apo sëmundjet. Asgjë nuk mund ta shmangte vdekjen. Askush që vinte në vendin tonë të punës nuk kishte ndonjë shans të dytë përveç vdekjes". Tregon krimineli. Sipas tij, urdhrat i jepte tjetërkush. Ato vinin të gjitha nga lart. Në dokumentet që shoqëronin të burgosurit thuhej në fund se ai duhej të vdiste me çdo kusht. "Pushteti dhe ne vetë shihnim kudo armiq, armiq, armiq pa fund. Nëse unë nuk do të kisha qenë dakord me urdhrat dhe do të kisha shfaqur shenja hezitimi për përmbushjen e tyre, inati i shtetit do të kishte rënë menjëherë mbi mua dhe familjen time në të njëjtën mënyrë siç kishte rënë ndaj të gjithë kundërshtarëve dhe të burgosurve me të cilët përballeshim çdo ditë. Nga viti 1975 deri në fillim të vitit 1979, nën diktaturën e pamëshirshme të Pol Potit, Kmerët e Kuq eliminuan 2 milionë burra dhe gra, shifër që përbënte një të tretën e popullsisë së Kamboxhias. Kmerët e Kuq ishin një lëvizje ekstremiste marksiste, e cila kishte për synim që ta çonte vendin në "vitin O", ta shkëpuste nga pjesa tjetër e botës dhe të ndërtonte në vend vizionin e liderëve komunistë ose të ashtuquajturën "utopia agrare". 17 mijë nga 2 milionë viktimat mes të cilëve kishte ish-zyrtarë partiakë, diplomatë, priftërinj budistë, inxhinierë, mësues, muzikantë, apo shkrimtarë e artistë u dërguan në "vendin e punës" së "Himlerit", që ishte godina e një ish-shkolle të mesme në qendër të kryeqytetit të vendit, Phnom Penh. Nga shkollë, godina ishte kthyer në njërin prej institucioneve të torturës më çnjerëzore të shekullit XX. Nga 17 mijë vetë vetëm 7 mundën që të hynin brenda mureve dhe të dilnin të gjallë prej tyre. Emri i koduar i qendrës ishte S-21 dhe e gjithë ndërtesa ndodhej nën drejtimin e Doik. Ai ishte një ish-profesor matematike, i cili më pas ishte shndërruar në shefin e shërbimeve sekrete dhe policisë. Në pjesët e godinës që dikur kishin qenë klasa, përgjatë një periudhe prej 40 muajsh Doik kreu asgjësimin më brutal të gjithë klasës intelektuale kamboxhiane dhe këtë e bëri me një saktësi matematike. Rrëfimet nga të burgosurit nxirreshin përmes torturave primitive, të burgosurit ishin vendosur në shtretër hekuri, disa vareshin kokëposhtë me litar për orë e ditë të tëra, të tjerë torturoheshin me thika e mjete të tjera të mprehta. Pas disa ditësh, gjithmonë natën, pasi nata ishte e preferuara e Kmerëve, të burgosurit, apo ajo çka kishte mbetur prej tyre, nxirreshin jashtë dhe ekzekutoheshin.

Tani më në fund pas vitesh diskutimesh mes qeverisë së Kamboxhias dhe Kombeve të Bashkuara, anëtarët që kanë mbetur gjallë në Kmerët e Kuq do të dalin para drejtësisë. Ata do të gjykohen nga një gjykatë e posaçme kamboxhiane, e cila ka kohë që heton për Kmerët e Kuq. Seancat paraprake kanë nisur që në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe po vazhdojnë ende. Pol Pot, diktatori gjakësor i Kamboxhias, sigurisht që ka vdekur tashmë, ndërkohë që ndodhej në arrest shtëpie para se të dilte në gjyq, në vitin 1998. Pas tij, personi i dytë më çnjerëzor për nga bëmat ishte Ta Mok, edhe ai i vdekur në vitin 1996. Por ndërkohë, 5 liderë të tjerë të rëndësishëm të kastës qeverisëse të Pol Potit përfshi Khier Sampan, Presidentin e Kmerëve të Kuq, ndodhen në pritje të gjykimit. Vetë Doik doli për herë të parë para hetuesve në nëntor dhe avokati kërkoi që ai të lihej në arrest shtëpiak në këmbim të një shumë të madhe parash, pasi mbajtja e tij në burg do të ishte "një shkelje e të drejtave të njeriut". Kur avokati bëri një kërkesë të tillë të gjithë të pranishmit në sallën e gjyqit qeshën me të madhe dhe sigurisht që kërkesa nuk u pranua. Arrestimi i Doik u bë 8 vjet të shkuara. Aktualisht, njeriu që mban mbi supe mijëra të vdekur është 66 vjeç dhe ka një pamje të zbehtë, trupi i tij është mpakur dhe tkurrur, por sytë i ka të gjallë e të lëvizshëm sikur të kishte vetë djallin brenda tyre. Kur flet e bën me një zë gati të shuar, por të njëtrajtshëm, të ngjashëm me timbrin e priftërinjve budistë që luten. Kur e sheh ashtu të bërë gërmuq e ke të vështirë të imagjinosh gjakun që dikur "lante" duart e tij. Gjatë intervistës që dha për një gazetë britanike, ai nuk dëshironte që gazetari të kishte me vete as diktofon, as kamera dhe pyetjet mund t‘i bëheshin në frëngjisht ose anglisht. Në dhomën e intervistës ndodheshin edhe të akuzuarit të tjerë bashkëpunëtorët e Pol Potit, burrat që dikur bënë kërdinë në jetë njerëzish e tani i kishin mbushur mendjen vetes se ishin më të pafajshëm se engjëjt. Për sa i takon Doik, ai ishte piktura e gjallë e formës së "pafajësisë" që merr djalli kur zë e plaket. Gjatë intervistës, ai rrëfeu se qendra e torturës Tuol Sleng ishte ngritur në gusht të vitit 1975, 4 muaj pas hyrjes së Kmerëve të Kuq në kryeqytet, ndërsa nisi të funksionojë 4 muaj më vonë. "Mua m‘u ngarkua detyra e krijimit dhe vënies së saj në funksionim. Kurrë nuk e kuptova se përse më zgjodhën mua për një detyrë të tillë. Para vitit 1975 kur Kmerët e Kuq ishin në ilegalitet unë isha shef i zyrës së policisë në ilegalitet. Pas vënies në funksionim të qendrës, detyra ime ishte që të dëgjoja rrëfimet e të burgosurve. Çdo ditë dëgjoja 7 ose 8 të tilla që nga mëngjesi e deri në darkë.

Nga shënimet që bëja unë në dosjet e të burgosurve varej edhe fati i tyre", tregon 66-vjeçari. Gjatë rrëfimit të tij ai thotë edhe se ishte shumë i ndërgjegjshëm që po kalonte në satër gjithë klasën politike të vendit dhe se kur kishte pyetur një eprorin e tij në lidhje me domosdoshmërinë e përdorimit të dhunës, ai i kishte thënë që të mos e bënte më një pyetje që nuk i takonte atij. "Unë personalisht nuk kisha rrugëdalje tjetër veçse të zbatoja urdhrat ose përndryshe do të kisha pësuar të njëjtin fat me njerëzit që i çoja drejt vdekjes. Ta Mok ishte njeriu që jepte urdhrat për ekzekutim dhe duhet thënë se ai ishte shumë dorëlëshuar ndaj urdhrave të tillë. Ai dhe shefat e tjerë të lartë shihnin kudo armiq", rrëfen Doik. Ai thotë se kishte raste kur kishte qenë i mëshirshëm, ose të paktën kishte tentuar të ishte i tillë dhe shefat menjëherë e kishin futur në rreth të kuq dhe kishin nisur të dyshonin. Detyra e Doik zgjati plot 4 vjet dhe pas rënies së Kmerëve të Kuq ai dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë u zhdukën në kaosin e pasluftës dhe u "përpinë" nga hiçi. Shumë vjet më pas u shndërrua në një katolik të devotshëm nga misionarët amerikanë, derisa identiteti i tij i vërtetë u zbulua në vitin 1998 dhe menjëherë pas kësaj u arrestua. Aktualisht, është personi i tretë për nga rëndësia mbi të cilin pas Pol Potit dhe Ta Mokut rëndojnë akuzat më të rënda. Në lidhje me shndërrimin e tij shpirtëror si i krishterë, ai thotë se e besonte krishterimin dhe se e konsideronte atë një forcë të madhe dhe ishte i bindur se ishte e vetmja forcë që mund të mundte komunizmin. Ndërsa në lidhje me akuzat ndaj tij, ai thotë se ata që hynin në ingranazhin e një makine gjakatare si ajo e regjimit të Kmerëve të Kuq nuk kishin shumë zgjedhje për të bërë. Ose do të vendosnin të bindeshin, ose do të eliminoheshin si dezertorë. Ky është edhe thelbi i mbrojtjes së tij në gjyqin e afërt. Por zor se një variant i tillë do të pijë ujë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›