E Diel, 1 Nëntor 2026

Von Godin buzëqesh mbi Shqipërinë

Cdo ditë e më shumë ne shqiptarët
po përjetojmë me rrahje zemre
që përshpejtohen afrimin e lindjes
së një shteti të ri shqiptar,
aq shumë të ëndërruar dhe aq
shumë të formësuar në qenien tonë kombëtare.
Brezat e sotëm ndihen të përfshirë
në një atmosferë që përngjason shumë me
atë të paraardhësve tanë të 28 Nëntorit
të largët të 1912. Delegatëve të krahinave
ua kanë zënë vendin deputetët, Kuvendit
Kombëtar ia ka zënë vendin Parlamenti i
Kosovës, Vlorës ia ka zënë vendin Prishtina,
kohët dhe teknologjia janë modernizuar
jo pak, por duke e pasur thelbin të njëjtë.
Ëndërrimi i kahmotshëm kombëtar na ka
përfshirë të gjithëve deri sa të nesërmen
miqtë, dashamirës të shqiptarëve, të na
zgjojnë duke na kujtuar detyrat që na dalin.
Ata që në mënyrë racionale i gjykojnë hapat
e së tashmes me sytë e së ardhmes së shtetit
të ri, ata që na duan me shpirt dhe arsye si e
më së fundmja prurë në shqip, Marie Amelie
Freiin von Godin.
E vlerësueshme ndihmesa që Ministria
e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i
ka bërë botimit të vëllimit "Nga Shqipëria
e re" me skica politike, kulturore, historike
dhe krijimtari letrare si projekt i botimeve
"Koçi". I vlerësuar edhe në kuadrin e iniciativës
kombëtare për të sjellë zëra autentikë
dhe të pranishëm të ngjarjeve të mëdha
historike të kombit tonë, të cilat jo pak herë
kanë ardhur të manipuluara. Von Godin ka
qenë aty, në Vlorë, më 28 Nëntor, në filizin e
atij që quhet sot shtet shqiptar. Ishte atë ditë
dhe shumë më parë si mikeshë e rrallë në
sarajet e vlorajve, atyre që projektuan shtetin
shqiptar. Njihte Syrja beun dhe Eqerem
beun aq pak të vlerësuar për atë kontribut
të shumëçmuar. Shihen në ato faqe (pjesa
e parë e librit) ekografitë e para dhe më pas
lindja e foshnjës me emrin shtet shqiptar.
Përshkruhen baballarët e shtetit të zhveshur
nga tisi legjendar, romantik, që kanë sjellë
gojëdhënat e brezave përforcuar nga fletushkat
poetike të teksteve shkollore gjithë
censurim. Midis vragave dhe mrekullive
tona karakteristike, midis tymit të barotit
politik të kohës, midis luftës diplomatike
dhe turravrapit të fqinjëve, kalon në skaner
një gjeneratë e tërë personalitetesh të botës
shqiptare midis orientit dhe oksidentit.
Shpërfaqet ajo çfarë ikën dhe ajo çfarë lind
në vëmendjen e një personaliteti që në çdo
rresht dëshmon praninë në mesin e ngjarjes,
aty ku realiteti vetëm ndodh. Ashtu me fraza
të shkurtra dhe të shpejta, hedhur nga një
njeri që nxiton të mos i humbasë asgjë nga
një kohë ku koshienca e ka bindur se po i
shërben informacionit më të madh të historisë
së një shteti. Në këtë pikëvështrim, vlera
e shkrimeve të Godinit mund t‘i bashkëngjitet
dosjes së dëshmive të 28 Nëntorit të
1912 dhe më pas, aty ku dokumenti origjinal
i Pavarësisë mungon. Ajo është reporterja e
atyre ngjarjeve.
Në parajsën e Shën Franceskut
"Papa Benedikti XVI u takua dje paradite
me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i
cili vizitoi privatisht Vatikanin."
...Para së gjithash thuhet në deklaratë:
"Ati i Shenjtë shprehu afërsinë e tij me të
gjithë popullsinë e këtyre trojeve, në të cilat
parë pas Krishtit".
(Marrë nga një e përditshme)
Në pjesën e dytë, "Shtigjeve apostolike
përmes Shqipërisë së bukur" krijohet një
himn për dishepujt e Shën Françeskut.
Tregohet se si një parajsë tokësore krijohet
me përkushtim njerëzor. Seliten vlerat e
shëndosha kombëtare dhe shkulen barërat
molisës, ndriçohen luftëtarët kombëtarë
poshtë petkut fetar. Një historik më shumë
kombëtar sesa fetar kalon në pak faqe,
gjë që dëshmon stilin letrar të Godinit, ku
përshkrimi ngelet mbrapa në krahasim me
kronikën e ngjarjes. E duke ia lënë gjithçka
lexuesit, doja të shtoja atë që Godini nuk
kish se si ta shkruante për dy kolosë të
Urdhrit të Shën Françeskut aq shumë të
përlëvduar prej saj.
Patër Gjergj Fishta "u zhvarros dhe
eshtrat e tij u hodhën në Drin nga pushteti
komunist".
Patër Vinçens Prenushi "vdiq në burgjet
e komunizmit".
Çdo të kish shkruar Von Godin për ne
po t‘i dinte...?!
Një letërsi që
nuk dinim se e kishim
Si një mister i procesit të krijimit ajo filloi
të prodhojë letërsi shqiptare. Në një përkrahasim
me të mëdhenjtë do të shkruaja:
Siç amerikani Tomas Eliot prodhoi letërsi
angleze dhe anglezi Uiston Oden prodhoi
letërsi amerikane, apo siç rusi Vladimir
Nabokov dhe dy nobelistët amerikanë,
polaku Ajsëk Beshëvis Singer dhe kanadezi
Soll Bellou janë krenari e antologjive letrare
amerikane. Pothuaj gjithë krijimtaria letrare
e saj iu përkushtua Shqipërisë. Kaq shumë
ishte përfshirë në historinë e këtij shteti dhe
populli ballkanik, saqë talenti i saj letrar
gjeti shtratin e vet në sfondin e ngjarjeve dhe
karaktereve të këtij vendi. Një stil i lirshëm
që të bën pjesëtar të ngjarjeve dramatike
nëpërmjet imazheve që reflekton në psikikën
e lexuesit. Bota e personazhit ndikon
te ty me fraza që shtjellojnë në mënyrë të
drejtpërdrejtë dilemën. Te "Gjakmarrja e At
Ndocit" personazhi na kthehet në një Sizif
ngarkuar me gurin e vet dhjetëfish më të
rëndë. Në atë shpat mali, ku poshtë kaltëron
deti, dikush gjen Golgotën e vet dhe purifikohet
në një provë drakonike.
"Vetmia" është kryevepra e novelave
shqiptare që barabitet me mrekullinë e
Kutelit tek "E madhe gjëma e mëkatit".
Një letërsi me dilema ekzistenciale, me
një vend veprimi dhe pak personazhe të
konturuar me penelat të kursyer por të
mjaftueshëm për të nxitur formësimin e
tyre në imagjinatën tonë. Suspansi është
ai që e çon veprimin dramatik më tej dhe
udhëheq lexuesin midis rreshtave. Gjithçka
qëndron aty midis mjediseve shqiptare dhe
është tërësisht shqiptare. Asnjë germë nuk
duket e huaj për shqiptarin veç emrit të
autores. Asgjë në novelat e saj nuk të bën
të mendosh se ishte një vizitore kalimtare,
si shumë të tjerë të Shqipërisë. Vepra e saj,
që lidhet apo i kushtohet Shqipërisë, është
mjaft e gjerë. Mund dhe të mos e bënte, por
e bëri më mirë se një shqiptare.
Ndërroi jetë më 1956. Thuhet se në varrimin
e saj morën pjesë edhe shqiptarë, të
cilët qanë dhe thanë: "Sot ka vdekur nëna
e Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›