E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutim për autorët e 11 shtatorit

Pentagoni të hënën ngriti akuza për vrasje dhe komplot kundër planifikuesit të sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheik Mohamed, si dhe pesë personave dhe do të kërkojë që ata të ekzekutohen në rast se do të shpallen fajtorë. Akuzat, nëse miratohen nga një i emëruar i Pentagonit që mbikëqyr Gjykatën e Guantanamos, janë të parat e kësaj gjykate që kanë të bëjnë në mënyrë direkte me sulmet e vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të parat ku kërkohet dënimi më vdekje. Të dyshuarit janë akuzuar gjithashtu për terrorizëm dhe shkelje të ligjeve të luftës si dhe shkaktimin e viktimave civile. "Të akuzuarit do të ndeshen me mundësinë e dënimit me vdekje", tha gjenerali i forcave ajrore Tomas Hartman, para gazetarëve. Mohamed, një shtetas pakistanez i njohur edhe si KSM, ka thënë se ai kishte planifikuar çdo aspekt të sulmeve të 11 shtatorit. Por, ky pohim i tij mund të jetë problematik nëse përdoret si provë, pasi CIA ka pranuar se ka përdorur kundër tij një teknikë të kundërshtuar, atë të zhytjes së kokës në ujë. Procedura konsiderohet edhe si torturë dhe Gjykata e Guantanamos ka ndaluar përdorimin e provave të siguruara nëpërmjet torturave mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare që edhe SHBA e ka firmosur. Akuzat kundër Mohamed do të përfshijnë edhe konspiracion me "Al Kaedën" për të sulmuar dhe vrarë civilë, si edhe rreth 3000 akuza për vrasje, për çdo viktimë të sulmeve të 11 shtatorit. Mohamed gjithashtu ka thënë se ka qenë përgjegjës edhe për sulmin e vitit 1993 mbi Qendrën Botërore të Tregtisë, në Nju Jork, bombat në një klub nate në Bali të Indonezisë, si dhe një përpjekjeje për të rrëzuar dy avionë amerikanë nëpërmjet përdorimit të këpucëve-bombë. Ai ka pohuar po ashtu se personalisht kishte prerë kokën gazetarit amerikan, Daniel Pearl. Mohamed është arrestuar në Pakistan, në mars 2003 dhe i është dorëzuar Shteteve të Bashkuara. Ai është një ndër 15 të burgosurit "e çmuar" të "Al Kaedës" që më herët janë mbajtur nga CIA dhe më pas janë dërguar në Guantanamo, në 2006-ën. Ushtria amerikane filloi t‘i dërgonte të ndaluarit në Guantanamo, një bazë amerikane në juglindje të Kubës, në janar 2002 dhe shpreson që të nxjerrë para gjykatës të paktën 80 nga 275 personat që ende mbahen atje. Gjyqet e kritikuara të Guantanamos janë të parat për krime lufte në SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore. Ato filluan pas sulmeve të 11 shtatorit me qëllim gjykimin e të ndaluarve joamerikanë, të cilët administrata "Bush" i konsideron "luftëtarë armiq" që nuk kanë të drejtën për mbrojtjen ligjore që zakonisht u jepet ushtarëve dhe civilëve. Aktualisht, këto gjykata veprojnë mbi bazën e autoritetit që u ka dhënë një ligj i miratuar nga Kongresi Amerikan në vitin 2006, pasi Gjykata Supreme Amerikane, rrëzoi versionin e parë të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›