Atmosferë festive në Durrës, qytetarët festojnë Ditën e Verës

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Dita e Verës u festua sot edhe në Durrës, ku qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin Liria për të shijuar aktivitetet e organizuara nga bashkia me rastin e kësaj dite.
Sheshi u shndërrua në një festë të vërtetë, plot ngjyra, muzikë dhe argëtim për të gjitha moshat, kryesisht për fëmijët. Atmosfera ishte e gjallë dhe e mbushur me energji, duke reflektuar simbolikën e kësaj dite që shënon ardhjen e pranverës.
Aktivitetet festive sollën momente gëzimi për qytetarët dhe vizitorët, të cilët shijuan performancat muzikore dhe aktivitetet argëtuese të organizuara në qendër të qytetit.
Dita e Verës është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë. Kjo festë, e cila dikur kremtohej vetëm në Elbasan, sot është bërë një simbol kombëtar i pranverës dhe gëzimit.
1 nga 22/m.q/a.f/