E Diel, 1 Nëntor 2026

Tomini: Udhëzimi për terapinë hormonale nuk ka kosto për buxhetin e shtetit dhe nuk përfshin fëmijët

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini deklaroi sot se udhëzimi për terapinë hormonale i referohet protokollit që ndiqet nga stafi shëndetësor dhe është pjesë e direktivave të BE-së për akses në shërbime shëndetësore të sigurta për çdo individ.

Në një intervistë televizive, Tomini theksoi gjithashtu se terapia hormonale nuk financohet nga buxheti i shtetit, si dhe nuk përfshin fëmijët.

“Udhëzimi jep vetëm rekomandim dhe një element tjetër i rëndësishëm është se nuk ka asnjë kosto të evidentuar deri në këto momente lidhur me trajtimin e terapisë hormonale që ndiqet edhe nga ekzaminimet e tjera sistemike të të gjithë organizmit”.

Sipas Tominit, ky udhëzues nuk ka asnjë kosto në buxhetin e shtetit.

“Një ndër direktivat për të kaluar në BE është edhe siguria e pacientit, çdo individ duhet të ketë mbështetje shëndetësore. Çdo individ ka të drejtën të marrë shërbimin e duhur në mënyrë të sigurt kundrejt çdo alternative të mundshme që i shfaqet përpara”, theksoi Tomini.

Zv/ministrja Tomini u shpreh se “hyrja në udhëzim reflekton kërkime shkencore ndërkombëtare. Nën 14 vjeç nuk ka baza shkencore ndërkombëtare. Legjislacioni shëndetësor, Kodi dhe Kushtetuta në Republikën e Shqipërisë reflekton moshën mbi 18 vjeç. Sistemi shëndetësor ecën paralelisht me legjislacionin shqiptar, nuk ecën me rekomandimet ndërkombëtare në varësi të moshës se kur është adult një individ në Francë, Angli apo kudo tjetër”.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›