Nis puna për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027–2031

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe UNICEF nisën punën për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2031, e cila e vendos nxënësin në qendër, me qëllimin për të konsoliduar një sistem arsimor gjithëpërfshirës.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj tha se kjo strategji është gjithashtu një përgjegjësi e përbashkët, prandaj bëri një ftesë edhe për prindërit të jenë pjesë aktive e konsultimeve për strategjinë e re.
“Ministria e Arsimit me mbështetjen e UNICEF si një prej partnerëve më të rëndësishëm që kemi, dhe partnerëve tanë, nis sot procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027–2031. Strategjia që po nisim sot do të vendosë nxënësin në qendër me qëllimin e qartë për të konsoliduar një sistem arsimor gjithëpërfshirës, cilësor, inovativ dhe të orientuar drejt së ardhmes. Një sistem ku çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit, statusit social apo kushteve familjare, të ketë mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të realizuar potencialin e tij”, nënvizoi Kumbaro.
Por, vijoi ministrja, kjo strategji nuk mund dhe nuk duhet të shkruhet vetëm nga Ministria.
“Arsimi është një përgjegjësi e përbashkët. Prandaj procesi që po nisim sot do të jetë një nga proceset më gjithëpërfshirëse të konsultimit që kemi ndërmarrë. Ne duam të dëgjojmë zërin e nxënësve. Duam të dëgjojmë mësuesit që çdo ditë përballen me realitetin e klasës. Duam të dëgjojmë drejtuesit e shkollave, ekspertët, universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët tanë. Por mbi të gjitha, duam të dëgjojmë prindërit. Sepse familja është partneri më i rëndësishëm i shkollës. Prindërit janë ata që njohin më mirë nevojat, aspiratat dhe sfidat e fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, ata do të kenë një rol qendror në procesin e konsultimeve që do të zhvillohen në muajt në vijim në të gjithë vendin”, tha Kumbaro.
Më tej, ministrja shtoi se krahas nisjes së punës për strategjinë e re, vijon paralelisht të investohet në rritjen e cilësisë së sistemit arsimor me programin e zhvillimit profesional të mësuesve, gjatë të cilit janë trajnuar 30 mijë mësues ndërsa po vijojmë investimet në transformimin digjital të arsimit, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe mbështetjen e mirëqenies së nxënësve.
Strategjia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar 2027-2031 e mbështetur nga UNICEF pasqyron vizionin e Shqipërisë për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, inovativ, të barabartë dhe të orientuar drejt së ardhmes, në përputhje me standardet evropiane.
1 nga 3/k.s/a.f/