BBC: Zjarr në portin e Emirateve pas sulmit me dron, Trump: Objektivat ushtarake iraniane në ishullin Kharg janë shkatërruar

UASHINGTON, 14 mars /ATSH/- Një dron i interceptuar goditi portin e Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga qendrat më të mëdha të depozitimit të naftës në Lindjen e Mesme, duke shkaktuar zjarr dhe pezullimin e përkohshëm të disa operacioneve, sipas BBC.
Re të mëdha tymi u panë mbi kompleksin energjetik, ndërsa ekspertët e sigurisë e cilësuan incidentin si një goditje ndaj infrastrukturës strategjike të tregut global të naftës.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se forcat amerikane kishin shkatërruar plotësisht objektivat ushtarake në ishullin iranian Kharg, një terminal kyç për eksportin e naftës në Iran.
Sipas analistëve, sulmi ndaj këtij ishulli të vogël por jetik është një goditje direkte ndaj ekonomisë energjetike iraniane.
Në një reagim, autoritetet në Teheran paralajmëruan se infrastruktura e naftës dhe energjisë e kompanive që bashkëpunojnë me SHBA-në mund të kthehet “në një grumbull hiri”.
Tensionet janë rritur edhe në fronte të tjera. Ambasada amerikane në Bagdat u godit nga një raketë, ndërsa në Liban një sulm izraelit shkaktoi vdekjen e të paktën 12 punonjësve shëndetësorë.
Në një zhvillim tjetër, Trump mohoi raportimet se pesë avionë cisternë amerikanë ishin dëmtuar rëndë në bazën ajrore “Prince Sultan” në Arabinë Saudite – nga një sulm me raketa iraniane.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, ai tha se baza ishte goditur disa ditë më parë, por avionët nuk ishin shkatërruar.
“Katër prej tyre pothuajse nuk pësuan dëme dhe janë rikthyer në shërbim. Një prej tyre kishte dëme pak më të mëdha, por do të rikthehet në fluturim shumë shpejt”, tha presidenti amerikan.
Dy javë pas nisjes së luftës, konflikti po përshkallëzohet në disa pika të rajonit, duke rritur shqetësimet për ndikimin në sigurinë energjetike dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. //a.i/