TEHERAN – Irani: Sulmet ndaj objekteve ushtarake amerikane në Emirate, një e drejtë legjitime

TEHERAN, 14 mars /ATSH-DPA/- Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit kërcënoi sot se do të sulmojë objektet ushtarake amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), pasi trupat amerikane bombarduan qendrën kryesore të naftës së Iranit.
“Irani e konsideron një “të drejtë legjitime” të mbrojë territorin e tij duke goditur vendet e lëshimit të raketave amerikane në “porte, doke dhe vende strehimi” në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha një zëdhënës i IRGC-së, sipas agjencisë së lajmeve “Fars”, e cila është e lidhur ngushtë me forcën elitare.
“Trupat amerikane të stacionuara në qytete gjithashtu mund të jenë në shënjestër”, tha ai, duke i nxitur banorët pranë objektivave të mundshëm të kërkonin siguri.
Më herët, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se forcat amerikane kishin shkatërruar baza ushtarake në ishullin Kharg, një terminal i rëndësishëm i eksportit të naftës në Gjirin Persik, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Iranin që të rihapë Ngushticën e Hormuzit.
Gardat Revolucionare kanë mbajtur një bllokadë të ngushtë të ngushticës, një kalim midis Iranit dhe Omanit që është thelbësor për transportin global të naftës.
Ishulli Kharg është një qendër kyçe për industrinë e naftës së Iranit, nga e cila transportohen rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të Teheranit.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë ndër shtetet e Gjirit më të goditura në konfliktin që përfshin Iranin.
Autoritetet në emiratin e Fujairah thanë se mbrojtja ajrore kishte interceptuar sot një dron.
Mbetjet që binin shkaktuan një zjarr, por nuk u raportuan viktima. //a.i/