E Diel, 1 Nëntor 2026

"BBC në shqip" mbush 15 vjet

Shërbimi shqiptar i BBC-së, "BBC në shqip", feston 15-vjetorin e rifillimit të transmetimeve. Ky departament, që transmeton në radio dhe internet, ka në plan të zhvillojë seri të tjera të programit të tij kryesor special të debatit radiofonik dhe televiziv, Auditorium, që do të vijnë nga Tirana dhe qytete të tjera në Shqipëri dhe Prishtinë. Radio "BBC në shqip" do të zgjerojë më tej praninë në tregun shqiptar të medias.

Nikki Clarke, shefe e rajonit të Amerikës dhe Evropës në shërbimin botëror të BBC-së, tha se "‘BBC në shqip‘, në 15 vitet e fundit ka qenë në pararojë të gazetarisë në rajon. Me reputacionin e vet të merituar për standarde të larta dhe mbledhje të përsosura të informacioneve në Shqipëri dhe rajon, ‘BBC në shqip‘ ka pasqyruar zhvillimet ndonjëherë të trazuara në Shqipëri dhe Kosovë, me angazhimin karakteristik të BBC-së për saktësi dhe paanshmëri. Në vitet e fundit, programi debat, Auditorum, i prodhuar në bashkëpunim me televizionin ‘Top Channel‘ në Shqipëri dhe RTK në Kosovë, ka ndryshuar natyrën e debatit politik televiziv dhe i ka ofruar publikut mundësinë që t‘u drejtojë pyetje drejtpërdrejt politikanëve". Ndërsa Diana Kola, drejtuese e seksionit shqiptar të BBC-së shtoi: "Ne po planifikojmë të vazhdojmë më tej punën mbështetur në atë që kemi arritur në Auditorium, duke prodhuar seri të reja në Shqipëri dhe Kosovë. Ne duam t‘u afrohemi më shumë dëgjuesve nëpërmjet radios dhe faqes së internetit bbcalbanian.com. Përveç zhvillimeve në rajon, fokusi yni do të jenë ngjarjet ndërkombëtare, si dhe çështje që kanë rëndësi për të gjithë. Ne gjithashtu po shohim mundësitë për të zgjeruar më tej marrëveshjet ekzistuese me partnerët tanë në median shqiptare dhe krijimin e të tjerave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›