Vite më parë...kur shkonim ne kishe apo xhami
Ndërtimet e xhamive në vendin tonë janë të lidhura me pushtimin osman të Shqipërisë dhe janë dëshmi indirekte të një procesi jo vetëm të pushtimit, por edhe të procesit të islamizimit të shqiptarëve, i cili nuk ndodh përnjëherësh. Aleksandër Meksi, autor i një studimi mbi mënyrën arkitekturore të kishave dhe xhamive në vendin tonë, e sheh ndërtimin në mënyrë masive të xhamive diku në shekullin XVI, fillimisht në qytete, për të filluar më pas dy shekuj më vonë dhe nëpër fshatra.
Por përtej besimit, ndërtimi i këtyre objekteve shoqërohet me mënyrën sesi ecte edhe ekonomia në vend. Nga mesi i shek XVI, kur kemi dhe një ngritje të ekonomisë, kemi dhe ndërtimin e xhamive me stile arkitekturore të veçanta, siç është ajo e Mirahorit të Korçë, ndërtuar më 1496 nga Ilaz bej Mirahori, apo xhamia e Plumbit në Berat, ndërtuar në vitin 1553 nga familja e vjetër e Zgurajve, një pinjoll i të cilës ishte Ahmet Beu. Është interesante të shihet mënyra arkitektonike që këto objekte kulti kanë pasur ndër shekuj të ndryshëm në vendin tonë, mënyrë që është pothuajse e njëjtë me ndërtimet që këto monumente (nëse do t‘i quajmë kështu) kanë pasur dhe në vende të tjera të Ballkanit.
Megjithëse studimet për xhamitë nuk kanë munguar, një informacion më i plotë, sipas Meksit, mund të merrej në Stamboll në Zyrën e Vakëfeve. Kjo do ta bënte më të plotë numrin e xhamive që kanë ekzistuar kohë më parë, pasi asnjë objekt fetar nuk ngrihej pa lejen e kësaj zyre. Kështu, studimet e ardhura deri tani do të ishin të mbushura dhe me emrat e njerëzve që i ndërtuan këto objekte kulti, vendet ku këto kanë ekzistuar…
Një arkitekturë interesante kanë edhe kishat. Ashtu si në rastin e xhamive, kemi një drejtim arkitektonik shumëkombësh që fillon nga Turqia e sotme e më tej në Armeni e deri në gjithë Ballkanin me gjurmë edhe në Itali të Jugut. Shqipëria, sipas Meksit, përbën një provincë ku mund të dallohen qartë këto ndërtime.
Por ashtu, si te xhamitë, mungojnë hollësitë që nuk kanë mundur të ruhen në kohë, e njëjta gjë ndodh edhe te kishat. E vetmja që ruan të dhëna historike është ajo në Opar e ndërtuar në vitin 1400 nga Ana, e bija e sundimtarit të Gjirokastrës, Gjin Zenevizi, apo një kishë në Berat e shek. XIII, ku sundimtari i Epirit banon dhe vritet në 1213-ën. Emri i saj, Shën Mëri Vllaherna, është i njëjtë me një kishë të Kostandinopojës dhe në Arta të Epirit. Kemi po në Berat një kishë tjetër, e cila ka një mbishkrim të fundit të shekullit 13, fillim të shekullit 14, që e lidh me sundimtarin Andronik Paleologu.
Studimet mbi këto objekte kulti jo vetëm bëjnë të plotë një pjesë të trashëgimisë sonë shpirtërore, por do të bënin të mundur thellimin në detaje, për të mësuar më tepër ndoshta mbi qëllimin e Anës, që vendos të ndërtojë një kishë në Opar, apo të dhjetëra njerëzve të tjerë që kanë vendosur të ngjizin një vepër të tillë.
Studimi i Meksit na jep një vështrim të qartë mbi mënyrën e tyre arkitekturore, por nga ana tjetër dhe na orienton në mënyrën sesi kanë ekzistuar këto ndërtime fetare, historia e të cilave ende nuk ka ardhur e plotë.
Mund të na flisni pak më tepër për studimet tuaja mbi arkitekturën e kishave dhe xhamive në Shqipëri? Si lindën këto kërkime?
Këto janë dy libra të punuar gjatë viteve 2004 dhe 2007, por si punime janë të vjetra. Libri i dytë për xhamitë është i ripunuar, ndërsa libri i parë është botuar siç ka qenë në dorëshkrim, i gatshëm që diku nga vitet ‘90-të, pasi unë nuk doja ta prekja, pasi do të duhej një punë suplementare. Këto libra janë fryt i një pune 30-vjeçare në lëmin e studimit të monumenteve në të gjithë Shqipërinë, fryt i ekspeditave të shumta, i hulumtimeve njohëse, gjurmimeve, restaurimeve, si dhe studimit të një numri jo të vogël kishash dhe xhamish, sidomos të xhamive një pjesë e së cilave nuk ekzistojnë më, pasi u prishën pas marrëzisë së vitit 1967.
Por të shkruash dhe të botosh studimet sot është disi e vështirë, për shkak të interesit që ekziston për kërkimet shkencore, sidomos në fushën e albanologjisë. Ka një mungesë totale mbështetjeje nga ana e biznesit për punët kërkimore në fusha të cilat lidhen me turizmin. Sot flitet për turizëm kulturor, thuhet se do të merren qindra miliona të ardhura nga turizmi dhe askujt nuk i shkon në mendje se për të fituar në kapitalizëm duhet të investosh. Dhe për turizmin kulturor investimi nuk është vetëm në rrugë, ujë apo në korrent, i cili mund të bëhet dhe për arsye të tjera, por është të investosh në rrugët që të çojnë te monumentet, restaurimet e monumenteve, apo përmirësimi i muzeve, gërmimet arkeologjike, botimet e librave të ndryshëm mbi trashëgiminë kulturore, apo guidave në shqip dhe në gjuhë të huaj, që të shërbejnë për turistët që duan të njohin vendin tonë.
Por për fat të keq studiuesit shqiptarë ndodhen në vështirësi financiare dhe nuk mund të përballojnë me të ardhurat e tyre një botim me tirazh të lartë, dhe pse ky botim mund të jetë fryt i qindra ditëve studime, apo i viteve të tëra hulumtimesh.
Duke u ndalur te xhamitë, si do ta vlerësonit historikun e tyre në vendin tonë? Çfarë ka të veçantë në arkitekturën e tyre?
Ndërtimet e xhamive kuptohet se janë të lidhura me pushtimin osman të Shqipërisë dhe janë dëshmi indirekte të një procesi jo vetëm të pushtimit, por edhe të procesit të islamizimit të shqiptarëve, i cili nuk ndodh përnjëherësh. Fillon në mënyrë masive në shekullin XVI, më shumë në qytete islame, sesa në fshatra dhe kthimi më i madh është në shekullin e 17-18 në fshatra. Ndërtimet nga njëra anë ecin me këtë rrugë të islamizimit nga ana tjetër me zhvillimin ekonomik që Shqipëria pas një shekulli luftërash fillon, sidomos nga mesi i shekullit të 16 të ketë dhe dëshmi të këtij rilulëzimi të ekonomisë shqiptare janë dhe ndërtime të tipit të xhamisë së Mirahorit të Korçë, ndërtuar më 1496 nga Ilaz bej Mirahori. Si jeniçer ai ka shkuar deri në Stamboll dhe atje është bërë deri komandant i stallave (figura e tretë në hierarkinë ushtarake dhe civile të Perandorisë osmane), apo Xhamia e Plumbit në Berat, ndërtuar në vitin 1553, nga familja e vjetër e Zgurajve, një pinjoll i të cilës ishte Ahmet Beu.
Të parat xhami janë nëpër qytete dhe lidhen me donatorë e dhurues të veçantë, janë ndërtimet e komunitetit islam, që dëshmojnë për nivelin ekonomik të Shqipërisë. Por nga ana tjetër dëshmojnë dhe për një aktivitet ndërtimor arkitekturor, që brenda një kornize pak a shumë të kristalizuar në ndërtimet islamike, me kalimin e kohës ka gjurmë gjithnjë e më të mëdha arkitekture provinciale, apo të një rajoni kufitar siç ishte Shqipëria.
Ndërtimet e shekullit 18 e sidomos të 19-ës, po përmend këtu Xhaminë e Ethem Beut në Tiranë, Xhaminë e Kavajës dhe të Peqinit që nuk janë më, tregojnë se janë më afër arkitekturës popullore se shumë objekte të tjera kulti të shekullit të mëparshëm. Më arkadat gjysmërrethore, jo ato me majë të prehtë të xhamive të artit islamik, dëshmojnë për atelie ndërtimore vendase. Ata që kanë ndërtuar Xhaminë e Ethem Beut janë të njëjtit mjeshtra që kanë ndërtuar dhe Xhaminë e Peqinit. Ndërsa një sërë xhamish i ndërton komuniteti, Xhaminë e Ethem Beut e ndërton një be, Xhaminë Llegebis në fshatin Burim të Dibrës e shekullit të 16-të e ndërton një komandant ushtarak, komandant regjimenti, që tregon se vazhdohet ajo tradita e mëparshme e periudhës bizantine, e dhurimet e fondacioneve të parave jepen për fenë. Ato që sot quhen fondacione jofitimprurëse, atëherë ishin vakëfe.
Nëse do të vështrojmë shtrirjen e kësaj arkitekture, është në gjithë Shqipërinë, më tepër nëpër qytete, por gati çdo fshat ka një sërë xhamish të vogla. Qytetet kanë një numër më të madh xhamish, janë xhamitë ku falet e premtja, xhamitë me minaret, por edhe mexhite, xhamitë e vogla të lagjeve, numri i të cilave në Shkodër për shembull është gati 40-50. Ne kemi të dhëna për një sërë qytetesh, siç është Berati, Tirana, Vlora, si nga udhëtarët, por edhe nga studiues shqiptarë që kanë mbledhur të tëra burimet ku përmenden këto monumente. Me interes do të ishin për xhamitë kërkimet në arkivat e Stambollit, pasi dihet se asnjë ndërtim nuk bëhej pa leje, ndryshe nga sot. Atëherë duhej të merrej një leje nga Zyra e Vakëfeve e pastaj ndërtohej. Mund të hetohen me imtësi në Zyrën e Vakëfeve qoftë ndërtimi i xhamive apo kishave në Shqipëri, cilët janë personat që ia kanë dhënë lejen, dhe kohën e ndërtimit të tyre. Mjaft xhami kanë pasur mbishkrime kur janë ndërtuar, të tjerat datohen për nga forma e arkitekturës. Duhet të themi se ndërtimet e përfshira në libër janë vetëm të R.Sh., pra jo nga gjithë trojet e banuara nga shqiptarët gjatë mesjetës së vonë.
Po historia e kishave. Çfarë elementesh karakteristike do të vinit re te këto objekte kulti në vendin tonë?
Libri i botuar më 2004 për kishat trajton ndërtimin e kishave nga shekulli i 7 në të 15-in, ajo që quhet "Mesjeta e hershme dhe Mesjeta e mesme në Shqipëri". Kisha ka pasur në periudhën palokristiane, që është nga antikiteti i vonë, nga shekulli i 4 deri në të 6, ashtu siç ka pasur kisha nga shekulli i 16-19, që quhet periudha pasbizantine për Shqipërinë e Jugut.
Libri trajton pikërisht këtë periudhë, nga shekulli i 7-15, në të cilën formohet popullsia arbëreshe, pra shqiptarët e sotëm, vazhdueshëm të drejtpërdrejt të ilirëve. Shekujt e parë janë si për të gjithë Ballkanin, ashtu dhe për Evropën, shekuj të errët, me ndërtime të pakta, rezultat i rrënimit ekonomik e social që pësoi gjithë gadishulli ballkanik me dyndjet e sllavëve. Pastaj, duke filluar nga shek i 10, 11 kemi një rimëkëmbje ekonomike, atëherë kur dalin në pah dhe shqiptarët e arbëreshët. Duke arritur në shekullin e 13, 14, 15 kemi ndërtime të një rëndësie të veçantë, siç mund të jenë kishat e beratit, Kisha e Manastirit të Pojanit, Mesopotamit, Labovës së Kryqit etj…
Edhe këtu, si në rastin e xhamive, kemi një drejtim arkitektonik shumëkombësh, që fillon nga Turqia e sotme e më tej në Armeni, e deri në gjithë Ballkanin, me gjurmë edhe në Itali të Jugut. Shqipëria përbën një provincë ku mund të dallohen qartë këto ndërtime. Ndërtimet e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut janë të lidhur me arkitekturën romanike-gotike, pra me fenë katolike, ndërsa ndërtimet e pjesës së Shqipërisë së Mesme e pjesës së Shqipërisë së Jugut janë qartësisht të lidhura me Ohrin dhe despotatin e Epirit të shekullit të vonë, me elementë të veçantë karakteristikë për këto ndërtime të Shqipërisë, siç mund të jenë kornizat e drejta me tambure, fasadat, teknika e ndërtimit, të cilat qartësojnë për një studiues praninë e shkollave ndërtimore që lëvizin. Janë atelie të cilat lëvizin në një periudhë kohore në tërë Shqipërinë, por që ndërtimet e tyre janë të qarta. Është e vështirë për periudhën bizantine të dish emrat e ndërtuesve, pasi vetëm pak ndërtime ruajnë mbishkrime apo të dhëna historike.
Ndër to, që ruajnë të dhëna historike, mund të jetë një kishë në Opar, ndërtuar në vitin 1400 nga Ana, e bija e sundimtarit të Gjirokastrës, Gjin Zenevizi, që martohet me një Gjon Muzakajn. Është një kishë në Berat e shekullit të 13, ku sundimtari i Epirit banon dhe vritet në 1213-ën. Emri i saj, Shën Mëri Vllaherna, është i njëjtë me një kishë të Kostandinopojës dhe në Arta të Epirit. Kemi po në Berat një kishë tjetër, e cila ka një mbishkrim të fundit të shekullit 13, fillim të shekullit 14, që e lidh me sundimtarin Andronik Paleologu. Kërkimet e mia dhe të atyre që kanë qenë para meje, që njëkohësisht kanë punuar në të dyja këto fusha, kanë ndihmuar për të sqaruar vlerat e këtyre monumenteve, kanë kontribuar në restaurimin e tyre, datimin e tyre dhe vendosjen në kohë të gjithë kësaj krijimtarie arkitekturore të shqiptarëve, e cila duhet të vlerësohet në këto kohë moderne shumë më tepër se deri më sot. Si me restaurimin, duke i kthyer në qendër të kontaktit të njeriut me trashëgiminë kulturore. Si një qendër të kontaktit shpirtëror e kulturor me të kaluarën, me monumentet me vlera arkitekturore, siç janë shumë prej tyre, për një njohje shumë më të mirë të historisë, pasi një popull që nuk njeh historinë e tij, nuk mund të jetë as krenar dhe as atdhetar.
Duke qenë se jeni marrë me studimet e këtyre objekteve të kultit në kohë, sipas jush, cila prej këtyre dy besimeve ka dominuar më shumë?
Nuk besoj që frekuentimi të ketë qenë shumë i madh, së paku në shekullin e fundit (unë mund të dëshmoj për shekullin e fundit). Megjithatë është jashtë çdo dyshimi që gjatë periudhës së pushtimit turk, si popullsia e krishterë frekuentonte kishat, ashtu dhe myslimanët frekuentonin xhamitë.
Një popull që besonte në atë masë që besojnë shqiptarët, që kanë dhe mbetje të paganizmit, por që besojnë ca nga frika e Zotit, ca nga forca e zakonit, ca të mos mbesin mbrapa nga të tjerët. Dhe e kundërta, kur shteti vendos për të mos pasur më fe, hidhen në zjarr për t‘i shembur monumentet.
Sa i ka dëmtuar komunizmi këto objekte kulti?
Kjo është një histori e veçantë e luftës kundër fesë dhe kundër ndërtimeve të kultit, të cilat shiheshin nga komunistët si vende ku mund të mbahej gjallë fryma e islamizmit dhe krishterimit në vend.
Si të tilla u ndërmorën nisma si të sekretarëve të parë në disa rrethe, ku u prishën dhe ato ndërtime që nuk duhet të prisheshin. U tentua të prishej dhe xhamia e Tiranës, ku u vu një fletërrufe, ashtu si në shumë rrethe: Tiranë, Durrës, Berat. Në Elbasan u prishën minaret e xhamive më të vjetra të Shqipërisë, që lidheshin me Sulltan Bajazitin, që ka qenë në Shqipëri në vitin 1492. Janë prishur monumente që s‘duhet të prisheshin, si xhamia e Kavajës, e Peqinit, xhamitë në pazarin e Elbasanit, e shumë xhami të tjera nëpër fshatra. Në fund të fundit, studimet nuk përfundojnë menjëherë. Siç kam shkruar unë, do të shkruajnë të tjerë, kështu që gjithnjë do të ketë punë për studiuesit, por edhe për t‘u treguar dhe të huajve, për t‘u thënë se shqiptarët kanë kontribuar brenda mundësive të tyre, brenda nivelit të shoqërisë shqiptare e madhësisë së vetë kombit në kulturën e zonës ku ne jemi përfshirë, siç është Ballkani.
Në Shqipëri këto vite nuk është se nuk kanë vazhduar kërkimet. Janë bërë gërmime arkeologjike në Butrint, në periudhën palokristiane. Në zonën rreth Finiqit e në Sarandë kanë dalë kisha të reja. Kërkime ka pasur edhe në zonën rreth Tiranës, apo Lezhës. Pra, studiuesit kanë punuar, pasi Akademia e Shkencave nuk është vetëm Asambleja e Akademisë, siç dëgjojmë të thuhet, por janë dhe institutet që nuk kanë reshtur së punuari dhe kanë kontribuar dhe në fushën e monumenteve të kultit. Punë ka për të pasur gjithnjë. Mund të vërejmë që brezi i ri nuk është i interesuar për të qenë aktiv në punën kërkimore në këto fusha. Kjo është një lloj keqardhjeje, pasi kultura shqiptare kërkon të lëvrohet dhe rrënjët e saj janë të rëndësishme për të ndërtuar një kulturë të kohës sonë.
Çfarë jeni duke punuar aktualisht?
Unë gjatë këtyre viteve, në kohën e lirë që kam pasur, kam shkruar një sërë artikujsh të veçantë, të cilët i kam botuar dhe tek "Ylli i dritës". Kam marrë pjesë në disa konferenca, si në Verria, apo në liqenin e Prespës, njëkohësisht po mundohem të përgatis monografinë për Kishën e Shën Kollit, në Manastirin e Mosopotamit në Sarandë dhe po ripunoj monografinë për kishën edhe mbi bazën e kërkimeve të reja.