Kur rrëfehet një grua
Një grua ka gjithnjë shumë për të thënë. Aq më tepër kur jeta e saj ka prekur një nga kohët më interesante të politikës së një vendi, që sapo kishte mundur të çlirohej nga diktatura. Si ish-bashkëshorte e një prej figurave kryesore të politikës shqiptare pas viteve ‘90-të, Rexhina Nano nuk mund të rrinte indiferente ndaj zhvillimeve politiko-sociale të vendit të saj. Si një grua që besonte në vizionet e politikës së të shoqit, por dhe si një femër e formuar intelektualisht, që besonte në një Shqipëri më të mirë për fëmijët e saj, ajo ka përjetuar çdo moment të këtyre zhvillimeve me gjithë fuqitë e saj.
Pavarësisht se jeta më shumë kërkon t‘i largojë njerëzit se t‘i mbajë bashkë, janë ca eksperienca në jetën e secilit që nuk mund t‘ua lëmë vetëm kujtimeve. Ndaj, zonja Nano ka vendosur ta hedhë në një libër gjithë këtë jetë të sajën, duke u rrëfyer me sinqeritetin e një gruaje, që ka provuar dhe dashurinë dhe humbjen, një jetë jo të lehtë, nga e cila gjithsecili mund të mësojë diçka. Libri "Të jetosh kohën", iI Rexhina Nanos, është promovuar dje mes miqsh në ambientet e "Loli Pop". Ky libër është botuar nga shtëpia botuese "Dudaj". Ky libër autobiografik mund të thuhet se është ndër të paktët në këtë gjini në vendin tonë, botuar vitet e fundit, duke pasur parasysh faktin se librat autobiografikë janë gjithnjë e më të shitur në botë. Sigurisht që ajo çfarë është më interesante për lexuesit në këtë rrëfim të gjatë të zonjës Nano është marrëdhënia e saj me ish-bashkëshortin Fatos Nano, lidhje që ajo e ka treguar me gjithë vërtetësinë e saj. Por Rexhina është një grua që di të jetojë kohën, dhe pikërisht këtë filozofi ajo kërkon ta përcjellë për gjithë ato femra që do të marrin në duar jetën e saj. Një vend të veçantë në libër zënë dhe letërkëmbimet. Aty gjejmë shumë letra të saj dhe të Fatos Nanos, nëpërmjet të cilave rrëfehet qartë gjithçka ata kaluan së bashku në ato periudha të vështira.