E Diel, 1 Nëntor 2026

Ana Frank, sy që vezullojnë dhe një buzëqeshje fëmijërore

Le të themi se një hetim vlen më shumë se një mijë fjalë. Por ndoshta në këtë rast është më e drejtë të thuhet se imazhi plotëson fjalët, e bën më të qartë një histori, e cila që prej 70 vjetësh mallëngjen miliona njerëz. Imazhi është ai i një djali engjëllor, i qeshur, me sy që i vezullojnë nga gëzimi, ose e ardhmja e ndritur që e pret. Kjo histori i përket Ana Frankut, vajzës hebrenje që hidhte çdo mendim dhe reflektim të sajin mbi një ditar të vogël. Historia a saj u bë e njohur në të gjithë botën, sepse ato shënime u botuan menjëherë pas vdekjes së saj në një kamp përqendrimi nazist. Një libër klasik i përkthyer në shumë gjuhë, i cili ka shitur më shumë se 31 milionë kopje dhe vazhdon të shesë, sepse qëndron në majë të veprave që u këshillohen të rinjve, e jo vetëm atyre.

Në "Ditar" Ana tregon për një dashuri të madhe që vetëm adoleshentët mund ta kenë, e bërë edhe më e madhe nga kushtet e saj në rrezik. Ai quhej Peter Schiff. Ajo ishte 11 vjeç, ndërsa ai 14. Së bashku ishin njohur në shkollë, në Holandë, pasi familjet e tyre ishin arratisur nga Gjermania, për të shpëtuar nga përndjekjet antisemite të Hitlerit. Ana u dashurua marrëzisht pas këtij djali. Në ditar përmend verën e parë që kanë kaluar së bashku, ku u bënë "të pandarë" dhe ecnin dorë për dore nëpër rrugicat e lagjes. Ajo përshkruan ëndrrën për të jetuar gjithë jetën përkrah tij. Tregon se e ëndërronte dhe dëshironte të zgjohej në shtëpinë e tij sekrete, me dëshirën e madhe se do të ndiente faqen e Peter-it të ledhatonte fytyrën e saj.

Ishte një tërheqje romantike, e cila u kris më 7 janar të 1944-ës, kur Peter ndërroi shtëpi dhe nuk u takuan më: ndoshta, shkruante Ana, dikush mund ta ketë vënë në lojë, sepse ai shoqërohej me një vajzë më të vogël se vetja. Ana e përmend për të fundit herë në ditar, në fund të muajit prill të vitit 1944, gjashtë javë para se të mbushte 15 vjeçe (ndërsa Peter ishte 18-të) dhe tre muaj para se "shtëpia e saj sekrete" të zbulohej nga Gestapo. E ëndërronte sërish dhe këtë e thekson në ditar: "E dua Peter-in, siç nuk kam dashur kurrë njeri". Pak kohë më vonë, e kapur nga nazistët, Ana dërgohet nga Aushvici, në një kamp tjetër përqendrimi, Bergen-Belsen, ku vdiq nga tifoja, pak javë para lirimit.

Nëse emri dhe historia e të dashurit të saj platonik njiheshin, fytyra e tij ka mbetur e panjohur për 70 vjet. Vetëm para pak ditësh, londinezja "Observer" vendosi ta tregonte për herë të parë. Edhe kjo, në llojin e saj, është një tip romance, e cila filloi në Berlin në vitin 1939 dhe përfundoi në rrethinat e Londrës, e ku një 80-vjeçar i ve, përpiqet ta ruajë këtë çast të çmuar në kujtesë. Para se Peter të largohej nga Gjermania, djaloshi i kishte thënë lamtumirë edhe mikut të tij më të mirë, Ernst Michaelis, i cili u fsheh nga prindërit në Angli. Duke mos e ditur se kur dhe si do të mund të takoheshin, dy 12-vjeçarët vendosën të shkëmbenin fotografi të thjeshta bardhezi. Peter shkroi pas saj: "Kujtim nga miku yt Peter Schiff". Ernst e futi në album dhe e la në "harresë" për vite me radhë. Kur në vitet ‘50 i qëlloi të lexonte rastësisht librin "Ditar" të Ana Frankut, pyeti veten nëse Peter-i i librit mund të ishte miku i tij, por më pas nuk ia vuri shumë veshin. Dyshimi iu kthye sërish kohët e fundit, pas vdekjes së bashkëshortes së tij, pasi kishte rilexuar librin. Ishin hetime të komplikuara ato që u bënë përmes internetit, por pavarësisht kësaj, ai arriti të vërtetonte se Peter-i i librit dhe ai i fotografisë ishte i njëjti person.

Më në fund, dashuria e Ana Frankut ka një fytyrë. Por ku ndodhet Peter Schiff? Edhe ai u kap në Holandë nga Gestapo. Vdiq në Aushvic ose në Bergen-Belsen, por data dhe vendi mbeten ende të pazbuluara. Nuk e pa kurrë më Anën, megjithatë nuk përjashtohet mundësia se mund të kenë qenë në të njëjtin kamp bashkë.

Në një farë kuptimi, vetëm tani dy historitë e tyre u bashkuan: fotografia e Peter-it gjendet në faqen e internetit të Ana Frankut. Në hapësirën dixhitale të internetit mund të qëndrojnë përgjithmonë bashkë, siç ëndërronte ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›