E Diel, 1 Nëntor 2026

I tetëdhjeti "Vals" për Avni Mulën

Ndoshta as Avniu vetë nuk e di se është pjesë e një paradoksi tipik ballkanik, që ka të bëjë jo me ditëlindjen, por me vendlindjen. Ky shqiptar-gjakovar rezulton si shtetas serb në një faqe ueb-i. Pikërisht në të shumënjohurën www.imdb.com, ku për ditëlindjen dhe vendlindjen e tij shkruhet: 4 January 1928, Djakovica, Serbia, Yugoslavia.

Por kjo në fakt nuk ka pasur e as nuk ka një ndikim te personaliteti, jo vetëm artistik, i këtij burri. Avni Mula pa asnjë diskutim mbetet një ndër më të mëdhenjtë e artit skenik e muzikor shqiptar, duke u zgjeruar nga individ në familje me një status kaq të lartë. Sepse është e pamundur ta veçosh atë nga e shoqja Nina dhe e nga e bija Inva. Por dhe nga një rreth më i madh njerëzish gjaku e jo gjaku, me të përbashkët shpirtin, muzikën, artin. U vu re mbrëmë kjo, në një shfaqje gala në Teatrin e Operës dhe Baletit, organizuar nga trupa e këtij teatri, me orkestrën e korrin, në bashkëpunim me "Top Channel". Kishte ditë që e bija, Inva, lajmëronte nga ky televizion dhe madje ftonte për të festuar muzikalisht si kurrë ndonjëherë 80-vjetorin e lindjes së të atit, Avni Mula. Dhe vërtet, koncerti i mbrëmshëm ishte i pangjashëm në shumë aspekte. Mjaft të përmendet suita e madhe e politikanëve, duke nisur që nga Presidenti Topi, si dhe salla e mbushur cytaz. Të dielën në mbrëmje, "Top Channel" do ta transmetojë mbrëmjen gala kushtuar 80-vjetorit të Avni Mulës, autorit të "Valsit të Lumturisë", himnit shpirtëror të shqiptarëve, ndryshe nga ai zyrtari, ekzistenciali, historiku dhe heroiku. Ndaj dhe mbrëmja mbante emrin e "Valsit të lumturisë", ndërsa Inva që e drejtoi atë, për herë të parë, shfaqi para spektatorëve dhe talentin si prezantuese. E hijshme, e lirshme dhe me një familjaritet të jashtëzakonshëm me skenën, ajo prezantoi historinë e jetën e të atit në pentagrame, duke prezantuar dhe të sajën njëkohësisht. Mbrëmja nisi pikërisht me "Valsin e lumturisë", ku në një monitor gjigand u shfaq fotoja e Avniut me Ninën, të rinj. Më pas në skenë doli Inva, e cila hapi shfaqjen me një mirëmbrëma dhe një falënderim për të gjithë spektatorët dhe ata të cilët bënë të mundur realizimin e koncertit gala. "Ne sonte do këndojmë për ty dhe do të gërmojmë në memorien dhe emocionet që ti për dekada na ke dhuruar", iu drejtua Inva të atit, të cilin e quajti "babai i dashur", "kompozitor të preferuar" dhe "interpretues virtuoz". Romanca "Agimet shqiptare" do ishte e para pjesë e interpretuar në shfaqje nga Inva, që do të pasohej me tenorin Ardian Xhema, i cili kishte ardhur nga jashtë vetëm për natën e mbrëmshme kushtuar Avni Mulës e që po ashtu interpretoi një nga romancat më të bukura dhe pikërisht "Ndalu që të flasim", që i përket viteve ‘60-‘70. Ardian Xhema, tenori Ylber Gjini e Inva bashkë me ta do interpretonin arie nga disa opera, si "Arien e Galanit" e "Arien e Boranës". Shfaqja pak e nga pak filloi të pasohet nga surpriza, si futja në skenë e maestro Zhani Cikos, i cili foli mbi interpretimet e Avni Mulës në vite; prezantimi i Genc Tukiqit e shfaqja në monitor e të atit, të madhit Ibrahim Tukiqi; hyrja më pas e djalit të Invës në skenë e loja në piano e Gencit; interpretimi prej Invës i një prej këngëve të fëmijërisë e deri te një çast i paparashikuar nga askush: një intervistë rreth 2 minuta e Vaçe Zelës marrë nga vetë Inva, posaçërisht për këtë koncert. Këtë çast magjik e pasuan interpretimet e Anjeza Shahinit e Evis Mulës, deri në një çast tjetër surprizë; hyrja në skenë e të madhes Nexhmije Pagarusha. Fundi i koncertit vjen nën interpretimin e Sidrit Bejlerit që këndon "Shqipëri o vendi im". Ky koncert i madh gala, organizuar nga Teatri i Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me "Top Channel" e me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, u dirigjua nga Ermir Krantja. Në këtë 80-vjetor të Avni Mulës, "Artist i Popullit", ne kujtojmë se ai lindi në Gjakovë më 1928, por për arsye ekonomike, së bashku me familjen largohen nga Gjakova dhe vendosen përfundimisht në Shkodër. Që në moshë të vogël dallohet për talentin dhe zërin e tij melodioz. Fillon të aktivizohet me grupet artistike të shkollës, ku merr pjesë në grupet muzikore të të rinjve dhe ato të qytetit. Shkodra në atë periudhë shquhej për një lëvizje të gjerë kulturore dhe artistike. Rreth viteve 1950 thirret për të kryer shërbimin ushtarak, të cilin e kreu pranë "Ansamblit Artistik të Ushtrisë", ku fillimisht si këngëtar dhe më vonë bëhet një ndër solistët më në zë të këtij ansambli, nën drejtimin e "Artistit të Popullit" Gaqo Avrazi. Mbasi i akordohet një bursë për të vazhduar studimet e larta pranë "Konservatorit Çajkovski" të Moskës në vitet 1952-1957, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira, kthehet në atdhe dhe në 1957 emërohet solist lirik (bariton) pranë TOB. Ky teatër kishte pak vite që qe krijuar në 1953, po tashmë e kishte krijuar fizionominë e tij si një institucion i rëndësishëm i artit dhe kulturës shqiptare. Gjatë aktivitetit të tij si bariton, ky artist i madh u shqua për një vokal me timbër të ëmbël dhe të ngrohtë, plot nuanca dhe freski, interpretues i zoti për intonacionin dhe diksionin e pastër. Dhe mbi të gjitha Avni Mula u shqua si një zotërues i shkëlqyer i skenës. Ai ka debutuar me sukses në shumë role të operistikës sonë kombëtare, asaj tradicionale kombëtare dhe asaj tradicionale botërore.

Krahas aktivitetit të tij si solist lirik në opera apo në koncerte të ndryshme, ky mjeshtër i kandos shqiptare ka një meritë të madhe se i kushtoi një vëmendje e kujdes këngës popullore. Janë të paharruara interpretimet e Avni Mulës në këtë gjini. Ai u dha këtyre këngëve me një mjeshtëri të lartë artistike bukuri dhe kolorit të shkëlqyer. Interpretimet e këngës popullore dhe asaj të kultivuar e bënë Avni Mulën një këngëtar shumë të pëlqyer dhe të ngrohtë për të gjithë publikun anë e mbarë Shqipërisë e më gjerë. Avni Mula është disa herë pjesëmarrës edhe në festivalet e këngës në RTV. Ai mban rekordin si kantautor në këto festivale. Ai sot radhitet ndër kompozitorët më të suksesshëm të vendit tonë. Krijimtaria e tij muzikore është e gjerë dhe e larmishme, duke filluar që nga përpunimet e këngës popullore, këngët për fëmijë, të muzikës së lehtë, romancat, baladat vokale, kantatat, rapsoditë, suitat, deri te muzika e filmit etj. Në krijimtarinë muzikore të Avni Mulës spikasin edhe vepra të mëdha: në 1978 opereta "Karnavalet", operat "Borana" në 1984, "Nëna e trimave" në 1987. Krahas kontributit të tij të jashtëzakonshëm në muzikë, Avni Mula ka dhënë edhe një kontribut modest edhe në fushën e pedagogjisë dhe publicistikës. Familja e këtij artisti të madh është një familje artistësh. Bashkëshortja e tij, "Artisja e Merituar" Nina Mula, është ndër sopranot më të shkëlqyera të operistikës shqiptare dhe një pedagoge e nderuar e kantos në Akademinë e Arteve. Edhe dy vajzat e artistit të madh, Adelina mësuese në liceun artistik "Jordan Misja" dhe Inva Mula, një ndër sopranot më në zë sot, që po ballafaqohet me sukses edhe në botë, me të cilët krenohet vendi ynë e që ajo po e përfaqëson atë denjësisht, ashtu siç i ka hije.

Për kontributin e madh e të shquar, të shumanshëm në fushën e muzikës, Avni Mula është laureuar me çmime të ndryshme, si dhe i është akorduar titulli i lartë "Artist i Popullit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›