E Hënë, 2 Nëntor 2026

BELGJIKË – Bart De Wever: Shpërthimi në sinagogën belge, akt antisemitizmi

BRUKSEL, 9 mars /ATSH-DPA/- Një shpërthim u raportua sot në mëngjes jashtë një sinagoge në qytetin e Liège, në Belgjikë.

“Antisemitizmi është një sulm ndaj vlerave dhe shoqërisë sonë, dhe ne duhet ta luftojmë atë pa mëdyshje”, tha kryeministri belg, Bart De Wever.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me komunitetin hebraik në Liège dhe në të gjithë vendin”, tha ai.

Ministri i Brendshëm, belg Bernard Quintin tha se shpërthimi përbënte një akt të tmerrshëm antisemit – që shënjestroi drejtpërdrejt komunitetin hebraik të Belgjikës.

“Zyra e prokurorit federal të Belgjikës ka nisur një hetim për incidentin dhe masat e sigurisë rreth vendeve të ngjashme do të vazhdojnë të forcohen”, tha Quintin.

Shpërthimi para orës 4:00 të mëngjesit nuk shkaktoi të plagosur, por dritaret e ndërtesave përballë sinagogës u dëmtuan.

“Rruga mbetet e mbyllur ndërsa hetimi është duke vazhduar dhe është ngritur një perimetër sigurie”, sipas policisë lokale.

Më herët, kryebashkiaku i Liège, Willy Demeyer, i tha agjencisë së lajmeve “Belga” se shpërthimi ishte një akt jashtëzakonisht i dhunshëm antisemitizmi, i cili është në kundërshtim me traditën e Liège-s për respektin ndaj të tjerëve.

“Nuk mund të ketë dyshim për importimin e konflikteve të jashtme në qytetin tonë”, tha Demeyer, duke aluduar për luftën e nisur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.

Yves Oschinsky, presidenti i Komitetit të Organizatave Hebraike në Belgjikë, tha se shpërthimi ishte një akt jashtëzakonisht shqetësues, serioz dhe antisemit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›