E Diel, 1 Nëntor 2026

PEKIN – Kina kundërshton ndërhyrjen e SHBA-së në çështjen e pasardhësit të Khameneit

PEKIN, 9 mars /ATSH-DPA/- Pekini ka kritikuar paralajmërimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me pasardhësin e udhëheqësit të vrarë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Kina refuzon ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun, në Pekin.

“Siguria, sovraniteti dhe integriteti territorial i Iranit duhet të respektohen”, shtoi ai.

Pekini bëri thirrje edhe një herë për negociata për t’i dhënë fund luftës dhe një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake.

Trump ka këmbëngulur se SHBA-ja duhet të përfshihet në zgjedhjen e pasardhësit të udhëheqësit suprem ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në një sulm ajror izraelit më 28 shkurt.

“Përndryshe, ai nuk do të qëndrojë në detyrë për një kohë të gjatë”, tha dje presidenti i SHBA-së.

“Nëse ai nuk merr miratimin tonë, ai nuk do të zgjasë shumë”, tha Trump për ABC News.

Menjëherë më pas, djali i Ali Khamenei, Mojtaba Khamenei, u shpall si pasardhësi i tij.

Trump tha më herët se Mojtaba Khamenei nuk do të ishte një udhëheqës i përshtatshëm.

“Ata po e humbasin kohën kot. Djali i Khameneit është person i parëndësishëm”, i tha ai agjencisë së lajmeve “Axios” javën e kaluar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›