BRUKSEL – Kallas: Raportet për ndihmën e inteligjencës ruse për Iranin, nuk janë surprizë

BRUKSEL, 9 mars /ATSH-DPA/- Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas i përshkroi raportet e medias për mbështetjen e fundit ruse për Iranin si diçka që pritej.
“Raportet se Moska dhe Irani po punojnë së bashku për të shënjestruar trupat amerikane nuk duhet të jenë një surprizë”, tha sot Kallas në një takim të ambasadorëve të BE-së në Bruksel.
CNN dhe “Washington Post”, duke cituar burime të njohura të inteligjencës amerikane, kanë raportuar se Kremlini po i jep Teheranit të dhëna për vendndodhjen dhe lëvizjen e trupave, anijeve dhe avionëve amerikanë.
“New York Times”, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportoi informacione të ngjashme.
Të shtunën, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, i bëri thirrje Rusisë të mos i japë Teheranit informacione në lidhje me luftën e Iranit.
Duke iu referuar përpjekjeve të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Kallas tha se kërkesat maksimaliste të Rusisë nuk mund të përmbusheshin me një përgjigje minimaliste.
“Nëse ushtria e Ukrainës do të kufizohet në madhësi, edhe ajo e Rusisë duhet të kufizohet. Aty ku Rusia i ka shkaktuar dëme Ukrainës, Rusia duhet të paguajë. Nuk duhet të ketë asnjë amnisti për krimet e luftës ose krimet e agresionit”, tha ajo.
Kallas përmendi partneritetet e sigurisë dhe mbrojtjes si një mjet të rëndësishëm për të përmirësuar pozicionin e BE-së në situatën aktuale globale.
Ajo tha se një partneritet i tillë do të nënshkruhej me Australinë këtë javë, ndërsa priteshin pakte të tjera me Islandën dhe Ganën. //a.i/