E Hënë, 2 Nëntor 2026

BEOGRAD- Përleshje në protestat antiqeveritare në Serbi, dhjetëra të plagosur

BEOGRAD, 13 gusht /ATSh-DPA/ — Përleshjet kanë shpërthyer në Serbi mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të qeverisë, duke shënuar një përshkallëzim të tensioneve pas më shumë se nëntë muajsh protestash të vazhdueshme kundër qeverisë, sipas “Ap”-së.

Incidentet nisën mbrëmë në qytetin Vrbas, në veriperëndim të kryeqytetit Beograd, ku policia i shpërndau protestuesit e dy kampeve kundërshtare përpara zyrave të Partisë Progresive serbe në pushtet.

Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes treguan mbështetës të qeverisë duke hedhur fishekzjarrë, gurë dhe shishe ndaj protestuesve, të cilët hodhën mbrapsht objekte të ndryshme. Policia tha se dhjetëra persona u plagosën, përfshirë 16 policë. Incidente të ngjashme u raportuan edhe në protesta në zona të tjera të vendit.

Protestat e udhëhequra nga studentët në Serbi nisën në nëntor, pas shembjes së çatisë së një stacioni treni në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, duke nxitur akuza për korrupsion në projektet infrastrukturore shtetërore. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›