BERLIN – Merz: Putini t’i marrë seriozisht bisedimet në Alaskë

BERLIN, 17 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të hyjë seriozisht në negociata përpara takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë.
“Ne presim që presidenti Putin ta marrë seriozisht propozimin e presidentit Trump për bisedime dhe të hyjë në negociata me Ukrainën pa parakushte pas takimit në Alaskë”, tha sot në një deklaratë kancelari Merz.
Më shumë se tre vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që shkelte të drejtën ndërkombëtare, Moska tani ka një mundësi të bjerë dakord për një armëpushim dhe t’i japë fund luftimeve, tha Merz.
Sipas tij, Trump mund të ndërmarrë “një hap të rëndësishëm drejt paqes” në bisedimet që do të zhvillohen sot në Anchorage.
Merz theksoi se Ukraina duhet të marrë pjesë në çdo takim të mëvonshëm. “Aty duhet të arrihet një armëpushim”, tha ai, duke shtuar se çështjet territoriale mund të vendosen vetëm me pëlqimin e palës ukrainase.
Kancelari iu referua idesë së një shkëmbimi të mundshëm territorial të përmendur nga Trump dhe tha se do të mbetet në kontakt me presidentin amerikan për këtë çështje.
Takimi në një bazë ajrore pranë qytetit Anchorage është i pari midis Trump dhe Putin që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Trump shpreson të arrijë një fund të luftës, megjithëse deri tani Putin nuk ka treguar shenja të tërheqjes. /Ad.Ab./