E Hënë, 2 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Lavrov provokon duke veshur bluzën me mbishkrimin CCCP

ALASKE, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tërhoqi vëmendjen me veshjen e tij sapo mbërriti në Alaskë për takimin mes SHBA–së dhe Rusisë.

Lavrov, i cili ka shërbyer si diplomati kryesor i Rusisë për dy dekada, kishte veshur një bluzë sportive të bardhë me mbishkrimin “CCCP”, (shkurtimi në gjuhën ruse për ish-Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike), poshtë një jeleku.

Mediet ruse spekuluan nëse kjo zgjedhje ishte një mënyrë për të ironizuar mikpritësit amerikanë në territorin e tyre apo për të dërguar një sinjal të drejtpërdrejtë ndaj ish-republikave sovjetike.

Ukraina, të cilën Rusia e pushtoi në shkurt 2022, ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1991.

Lufta e nisur nga Moska do të jetë një nga temat kryesore të bisedimeve të takimit SHBA-Rusi sot në Alaskë.

Pavarësisht qëllimit, zgjedhja e 75-vjeçarit është në trend, pasi veshjet me mbishkrime të epokës sovjetike janë bërë të modës në Moskën e sotme.

Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin është planifikuar të fillojë në orën 21:30 në bazën ushtarake “Elmendorf–Richardson”, pranë Anchorage. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›