E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Merz: SHBA-ja dhe Izraeli nuk kanë plan të përbashkët për t’i dhënë fund luftës në Iran

BERLIN, 10 mars /ATSH-DPA/- Gjermania është “e shqetësuar” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nuk kanë një plan për t’i dhënë fund luftës në Iran, tha sot kancelari Friedrich Merz.

Pas një takimi me kryeministrin çek Andrej Babis në Berlin, Merz tha se SHBA-ja dhe Izraeli kanë zhvilluar luftën për më shumë se një javë dhe se çdo ditë që kalon, lindin më shumë pyetje.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar që padyshim nuk ka një plan të përbashkët për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe bindshëm”, tha Merz.

Ai gjithashtu i quajti kundërsulmet e Iranit një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Merz tha se përgjegjësia për përfundimin e konfliktit i takonte udhëheqjes në Teheran.

Merz kujtoi rastet e Irakut dhe Libisë, të cilat ranë në kaos dhe luftë civile pas ndërhyrjeve perëndimore.

“Një rezultat i ngjashëm për Iranin do të na dëmtonte të gjithëve”, paralajmëroi ai.

“Ne nuk kemi interes për një luftë të pafundme. Nuk kemi interes për shpërbërjen e integritetit territorial, shtetësisë apo qëndrueshmërisë ekonomike të Iranit”, theksoi Merz.

“Gjermania është e prekur drejtpërdrejt nga lufta në fushat e sigurisë, furnizimit me energji dhe migrimit”, shtoi ai.

Ai theksoi se po punonte me partnerët e BE-së për një vizion për Iranin.

“Ne jemi në bisedime me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë në Evropë dhe NATO, dhe me partnerët tanë në rajon”, shtoi kancelari gjerman. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›