BERLIN – Ministri suedez i Mbrojtjes: Evropa duhet të sigurojë gatishmëri në kohë lufte

BERLIN, 23 shtator /ATSH-DPA/- Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, i bëri thirrje sot Evropës të përshpejtojë përgatitjet për një konflikt të armatosur, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia.
“Ne duhet të përvetësojmë një mentalitet të ri evropian, nga një mentalitet në kohë paqeje në një gatishmëri në kohë lufte”, tha Jonson në Berlin përpara një takimi me homologun e tij gjerman, Boris Pistorius.
“Rusia po riarmatoset dhe po zhvillon masivisht një ushtri “më vdekjeprurëse” me armë të avancuara me rreze të gjatë veprimi dhe luftën elektronike”, tha Jonson në një aktivitet në “Fondacionin Konrad Adenauer”.
Ai paralajmëroi se partnerët e NATO-s duhet të koordinoheshin në mbrojtje.
“Ne flasim për një diversitet brenda aleancës kur bëhet fjalë për investimet në mbrojtje”, tha Jonson.
“Kjo nuk është mirë. Nuk dua të shoh fragmentim në investimet në mbrojtje”, tha ai.
Pasi mbeti neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia iu bashkua NATO-s vitin e kaluar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
“Ne e shohim Ukrainën si mburojë – kundër zgjerimit ushtarak rus”, tha ai.
Po shohim gjithashtu se barra e mbështetjes financiare të Ukrainës po mbahet gjithnjë e më pak nga aleatët brenda NATO-s”, shtoi ai.
Jonson bëri thirrje gjithashtu për një bashkëpunim më të fortë dypalësh në mbrojtje me Gjermaninë, duke argumentuar se të dy qeveritë duhet të promovonin standardizimin dhe kontratat afatgjata.
“Berlini dhe Stokholmi po ndjekin një rrugë të ngjashme për sa i përket strategjisë së mbrojtjes”, tha ai.
“Të dy vendet po investojnë shuma rekord në mbrojtje pas një periudhe të gjatë mungese fondesh, ndërsa përballen gjithashtu me të njëjtat sfida nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus në rajonin e Detit Baltik”, tha Jonson. //a.i/