E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Siemens” dhe ndërtuesit e makinerive aleancë inovative për realizimin e një modeli të IA-së specifike për industrinë

MYNIH, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Gjigandi industrial gjerman, “Siemens” njoftoi sot krijimin e një aleance të të dhënave me ndërtues kryesorë evropianë të makinerive, me qëllim zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA) për industrinë.

Aleanca përfshin prodhues si “Chiron”, “Trumpf”, “Grob”, “Renishaw”, “Heller dhe “Laboratorin e Makinerive në Universitetin RWTH Aachen.

Bashkëpunimi synon një shkëmbim të sistemuar të të dhënave inxhinierike, prodhimore dhe të makinerive, të cilat do të përdoren për të krijuar aplikacione të reja të IA-së gjenerative në mjedise industriale.

Drejtori ekzekutiv i Siemens, Roland Busch, tha se ky është një hap i rëndësishëm për zgjerimin e IA-së industriale dhe për ekonominë europiane, duke përfshirë sektorë si automobilistik, kimik, farmaceutik, mekanik, energjetik, shëndetësi, infrastrukturë dhe transport.

“Duke bërë të dhënat unike të kompanive tona të disponueshme për krijimin e modeleve gjenerative të IA-së, mund të arrijmë nivele krejtësisht të reja produktiviteti  dhe kjo aleancë në industrinë e ndërtimit të makinerive po tregon rrugën”, shtoi Busch.

Ndërsa kompanitë europiane përpiqen të zhvillojnë modelet e tyre të IA-së për të qëndruar në garë me SHBA-në dhe Kinën, një ndryshim i rëndësishëm me IA-të e njohura si ChatGPT është se IA-ja industriale duhet të jetë shumë më e besueshme, pasi gabimet mund të kenë pasoja të kushtueshme ose të rrezikshme.

“Siemens” synon përdorimin e IA-së për të përshpejtuar zhvillimin e programeve për makineritë, për të ulur gabimet dhe për të lehtësuar punën e programuesve.

Zona të tjera përfshijnë mirëmbajtjen parashikuese me parashikime specifike për makineritë, proceset prodhuese që adaptohen në kohë reale ndaj ndryshimeve dhe përmirësimin e eficiencës energjetike. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›