E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Dronët paralizojnë aeroportet në Kopenhagë dhe Oslo

KOPENHAGË/OSLO, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Aeroportet kryesore në Kopenhagë dhe Oslo u detyruan sot të pezullojnë përkohësisht fluturimet pas shfaqjes së dronëve pranë pistave, duke shkaktuar kaos në udhëtime dhe frikë për një sulm të mundshëm të qëllimshëm.

Mbrëmë, policia daneze njoftoi se dy deri në tre dronë u panë mbi hapësirën ajrore të aeroportit të Kopenhagës, një prej më të mëdhenjve në Skandinavi. Për disa orë, aeroporti u mbyll, ndërsa dhjetëra fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera si Billund në Danimarkë dhe Gothenburg në Suedi.

“Kastrup Airport” në Kopenhagë konfirmoi sot rihapjen, por paralajmëroi për vonesa të shumta dhe anulime.

Pak orë më vonë, edhe aeroporti i Oslos në Norvegji u mbyll, pasi dronë u raportuan mbi kryeqytet. Operatorët e” Avinor “ thanë se hapësira ajrore mbi Oslo u mbyll dhe avionët që po afroheshin u ridrejtuan drejt aeroporteve alternative.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e cilësoi incidentin si “sulmin më serioz deri më tani ndaj infrastrukturës daneze”.  Ajo paralajmëroi se ngjarja është pjesë e një prirjeje shqetësuese me sulme kibernetike, shkelje hapësire ajrore dhe fluturime të paautorizuara me dron nëpër Evropë.

“Kjo tregon kohët në të cilat jetojmë dhe për çfarë duhet të jemi të përgatitur si shoqëri”,  tha Frederiksen, duke shtuar se nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi mbi ata që mund të jenë pas sulmit.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një sulmi kibernetik ndaj një kompanie shërbimesh IT që ndërpreu operacionet në disa aeroporte evropiane, përfshirë Berlinin, Brukselin, Heathrow në Londër dhe Dublinin. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›