RUSI – Kremlini: Samiti Trump-Putin mund të zgjasë 6-7 orë

MOSKË, 15 gusht /ATSH-AFP-ANSA/ – Kremlini vlerësoi sot pasdite se takimi midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin në Alaska për të diskutuar konfliktin në Ukrainë, mund të zgjasë gjithsej “të paktën gjashtë deri në shtatë orë duke përfshirë takimin e tyre dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Në përgjithësi, mund të imagjinojmë se do të duhen të paktën nga gjashtë deri në shtatë orë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për televizionin shtetëror rus duke shpjeguar se udhëheqësit do të takohen kokë më kokë, përpara negociatave më të gjera midis delegacioneve të tyre dhe më pas një konference të përbashkët për shtyp.
Putini do të shoqërohet nga tre ministra dhe disa zyrtarë shumë të besuar: këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov, këshilltari për Investimet e Huaja Kirill Dmitriev, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov dhe ministri i Financave Anton Siluanov do të jenë të pranishëm.
Delegacioni i Trump do të përfshijë, ndër të tjerë, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe të Dërguarin Special Steve Witkoff./ a.jor.