E Hënë, 2 Nëntor 2026

ALASKË – Protestë në mbështetje të Ukrainës përpara samitit Trump-Putin

ANXHORAGE, 15 gusht /ATSH-AA/ – Në qytetin Anchorage të Alaskës, mbështetësit ukrainas mbajtën protestë përpara takimit midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Pjesëmarrësit mbanin flamuj ukrainas dhe pankarta me mbishkrime të ndryshme, duke dërguar mesazhe mbështetjeje për Kievin dhe duke kritikuar veprimet e Moskës. Në pamje shihen protestuesit e mbledhur pranë rrugës, duke mbajtur banderola, pankarta dhe flamuj ukrainas dhe amerikanë dhe duke brohoritur me slogane.

Sot presidenti rus Putin dhe presidenti amerikan Trump do të mbajnë takim në bazën ajrore “Elmendorf-Richardson” në qytetin Anchorage të Alaskës.

Këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov ka thënë se “Putin dhe Trump do të takohen ballë për ballë me përkthyes. Takimi do të vazhdojë me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve. Negociatat do të vazhdojnë me një mëngjes pune”.

Lidhur me përmbajtjen e takimit, Ushakov tha se “tema kryesore e takimit do të jetë zgjidhja e krizës ukrainase. Sigurisht, do të diskutohet një gamë e gjerë çështjesh që lidhen me sigurimin e paqes dhe sigurisë si dhe çështjet kritike ndërkombëtare dhe rajonale”.

”Pritet të shkëmbehen pikëpamje mbi zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë fushat e tregtisë dhe ekonomisë. Ekziston potencial i madh dhe për fat të keq i pashfrytëzuar në marrëdhëniet dypalëshe”, theksoi ai.

Ushakov shtoi se presidentët Putin dhe Trump do të mbajnë konferencë të përbashkët për media pas takimit dhe do të njoftojnë rezultatet e arritura./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›