E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Londra vendos sanksione të reja ndaj Iranit për programin bërthamor

LONDËR, 30 shtator  /ATSH-DPA/- Britania e Madhe  ka shpallur një paketë të re sanksionesh ndaj 71 individëve dhe organizatave iraniane të lidhura me programin bërthamor të Teheranit, mes frikës se Irani po synon zhvillimin e armëve bërthamore.

Sanksionet vijnë pas vendimit të gushtit nga Britania, Franca dhe Gjermania për të rikthyer masat gjithëpërfshirëse të mbështetura nga OKB-ja, pasi përpjekjet diplomatike për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dështuan.

Ministrja e Jashtme britanike Yvette Cooper deklaroi se masat e reja, që synojnë institucionet financiare dhe kompanitë energjetike iraniane, “i dërgojnë një mesazh të qartë Teheranit” se Londra “do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të parandaluar zhvillimin e një arme bërthamore nga Irani”.

Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por ka pasuruar uranium në nivele që tejkalojnë kufirin për përdorim civil në kundërshtim me marrëveshjen e njohur si “JCPOA”.

Sipas Zyrës së Jashtme britanike, Irani ka grumbulluar uranium të pasuruar 48 herë mbi kufirin e lejuar dhe mbi 440 kilogramë të pasuruar deri në 60%, një nivel që nuk është arritur nga asnjë vend pa armë bërthamore.

Masat e reja përfshijnë ngrirje pasurie, ndalime drejtimi dhe ndalime udhëtimi për disa institucione dhe persona të lidhur me qeverinë iraniane. Mes subjekteve të goditura janë “First Islamic Investment Bank”, “Persia International Bank”, “Post Bank of Iran”, “Iran Aluminium Company” dhe “Kompania Kombëtare e Naftës së Iranit”.

Në ditët në vijim, Britania pritet të miratojë ligje shtesë për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe sanksione të reja sektoriale ndaj **industrisë së financave, energjisë, transportit detar dhe softuerëve**, me synim frenimin e përshkallëzimit bërthamor të Iranit.

Cooper theksoi se komuniteti ndërkombëtar “i ka dhënë Iranit mundësi të përsëritura për të dhënë garanci të besueshme mbi qëllimet e tij bërthamore, por regjimi ka zgjedhur të mos bashkëpunojë”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›