E Diel, 1 Nëntor 2026

BM – Starmer pritet të shpallë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët

LONDËR, 8 qershor /ATSH/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer po përgatitet të njoftojë brenda pak ditësh, masa të reja për kufizimin e aksesit të fëmijëve, në rrjetet sociale, raportoi BBC.

Sipas medieve britanike, javën e ardhshme Starmer do të mbajë një fjalim, ku pritet të prezantojë një politikë të re, për përdorimin e platformave sociale nga të miturit.

Java e ardhshme konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për kryeministrin britanik, i cili do të marrë pjesë për disa ditë në samitin vjetor të liderëve të vendeve të G7-tës, në Francë, ndërsa në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe zgjedhja e pjesshme parlamentare në Makerfield, ku kandidon politikani laburist, Andy Burnham.

Gjatë javëve të fundit, ministrat e qeverisë britanike kanë shqyrtuar disa alternativa, për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë, përfshirë edhe mundësinë e një ndalimi të përgjithshëm për personat nën 16 vjeç, një masë e ngjashme me atë të miratuar në Australia.

Po ashtu, janë diskutuar edhe përjashtime për disa kategori të rrjeteve sociale, që konsiderohen më pak të dëmshme për të miturit.

Më herët, Starmer ka shprehur rezerva ndaj kufizimeve të tilla, por përballë presionit të vazhdueshëm nga opozita konservatore, Liberal Demokratët dhe dhjetëra deputetëve të Partisë Laburiste, qeveria nisi në mars, një konsultim publik mbi mundësinë e vendosjes së një ndalimi ndaj rrjeteve sociale për të miturit.

Pas përfundimit të konsultimit muajin e kaluar, kryeministri britanik premtoi masa vendimtare, duke i cilësuar ato si një ndryshim rrënjësor në mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›