E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE emëron Sofia Moreira de Sousa si ambasadore të re në Shqipëri

BRUKSEL, 8 qershor /ATSH/- Përfaqësuesja lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, njoftoi sot emërimin e 33 ambasadorëve të rinj të Bashkimit Evropian dhe shtatë zëvendësshefave të delegacioneve të BE-së në mbarë botën, në kuadër të rotacionit diplomatik për vitin 2026, raportoi EEAS.

Sipas njoftimit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), për Shqipërinë është emëruar si ambasadore e re e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa.

Aktualisht, Moreira de Sousa shërben si drejtuese e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali.

Më herët ajo ka mbajtur edhe detyrën e ambasadores së Bashkimit Evropian në Cape Verde, si dhe pozicione të tjera të rëndësishme në institucionet evropiane.

EEAS theksoi se 145 delegacionet e Bashkimit Evropian përfaqësojnë praninë diplomatike të bllokut, në mbarë botën dhe luajnë një rol kyç, në mbrojtjen e interesave të BE-së, si dhe në zbatimin dhe promovimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë.

Emërimet e ambasadorëve të rinj do të formalizohen pas marrjes së miratimit zyrtar nga vendet pritëse përkatëse, dhe pas përfundimit të procedurave administrative të parashikuara, në kuadër të rotacionit diplomatik të vitit 2026.

Përveç emërimeve në delegacionet e jashtme, Kallas njoftoi edhe caktimin e dy drejtuesve të rinj të lartë, në selinë qendrore të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›