BM – Starmer shpreh lehtësim për lirimin e pengjeve izraelite

LONDËR, 13 tetor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer shprehu lehtësimin e tij ndërsa pengjet e mbetura izraelite u liruan nga Hamasi.
Gjithashtu, Starmer këmbënguli se tani ishte “thelbësore” të zbatohej plani i paqes i presidentit të SHBA-së Donald Trump në Lindjen e Mesme.
Kryeministri britanik ndodhet në Sharm el-Sheikh për t’u takuar me presidentin e SHBA-së dhe negociatorët e tjerë nga Egjipti, Katari dhe Turqia, të cilët do të nënshkruajnë planin e paqes në Gaza.
Të 20 pengjet e mbetura izraelite u liruan sot nga Hamasi, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së paqes.
Në këmbim, Izraeli ka rënë dakord të lirojë të burgosurit palestinezë që mban peng.
Samiti i Sharm el-Sheikh, i bashkëorganizuar nga udhëheqësi amerikan dhe presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi, vjen si pjesë e përpjekjeve për të siguruar armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit – që ka filluar që nga e premtja.
Para takimit, qeveria e Starmer u gjend në vështirësi për shkak të pretendimeve të sekretares së Arsimit Bridget Phillipson se Britania e Madhe kishte luajtur një “rol kyç” në sigurimin e armëpushimit në Gaza.
Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, i quajti deklaratat e saj “iluzionale”, ndërsa zëvendësministrja e Jashtme e izraelit, Sharren Haskel hodhi poshtë karakterizimin e saj për rolin e Britanisë së Madhe.
Por, Steve Witkoff, i dërguari special i Trump në Lindjen e Mesme, vlerësoi këshilltarin britanik të sigurisë kombëtare, Jonathan Powell dhe tha se Britania e Madhe kishte luajtur një “rol jetësor” në ndihmën dhe koordinimin e përpjekjeve që çuan në këtë ditë historike në Izrael”.
Para samitit egjiptian, Trump udhëtoi në Izrael për t’u takuar me familjet e pengjeve dhe për t’iu drejtuar parlamentit atje, dhe tha para nisjes së tij se shumë njerëz si në Izrael ashtu edhe në vendet arabe po “brohorisnin” marrëveshjen dhe se të gjithë ishin të mahnitur dhe të emocionuar.
Starmer pritet të njoftojë një paketë ndihme humanitare prej 20 milionë paund (26,7 milionë dollarë) për Gazën, ndërsa Britania e Madhe do të organizojë një konferencë tre-ditore mbi rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Gazës.
Plani 20-pikësh i përcaktuar nga presidenti amerikan, Trump kërkon që Izraeli të mbajë një prani ushtarake të hapur brenda Gazës përgjatë kufirit të tij me Izraelin.
Një forcë ndërkombëtare, e përbërë kryesisht nga trupa nga vendet arabe dhe myslimane, do të ishte përgjegjëse për sigurinë brenda enklavës. //a.i/