E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINEMA – Jeremy Allen White në rolin e Bruce Springsteen në filmin biografik “Deliver Me From Nowhere”

NJU JORK, 18 shtator  /ATSH/ – Jeremy Allen White, aktori i njohur i serialit “The Bear”, do të interpretojë legjendën e rock-ut, Bruce Springsteen, në filmin “Springsteen: Deliver Me From Nowhere”, i cili do të shfaqet më 24 tetor, sipas AP.

Ky është roli i parë kryesor në një film për White, i cili i këndon vetë të gjitha këngët e Springsteen.

Filmi, me regji të Scott Cooper – i njohur në filmat “Crazy Heart” dhe “Black Mass”, lë mënjanë biografinë e zakonshme – që përshkruan gjithë jetën e këngëtarit dhe përqëndrohet te albumi i vitit 1982, “Nebraska”.

Ky album minimalist, i regjistruar në dhomën e gjumit të Springsteen, tregon histori të punonjësve të thjeshtë dhe përmban ndjesi emocionale që e bëri të vështirë përshtatjen në ekran.

Përgatitja për realizimin e rolit ishte sfiduese. White nuk kishte përvojë në të kënduar apo në kitarë, por punoi intensivisht me një trajner vokali, mësues kitare dhe regjistroi shumicën e këngëve në një studio në Nashville brenda 48 orësh.

White tha se kënga që e preku më shumë ishte “My Father’s House”, një baladë e thellë dhe emocionalisht prekëse, gjatë të cilës ai ndjeu lidhje të veçantë me Springsteen.

Vetë Springsteen dha sugjerime për skenarin, ndihmoi në zgjedhjen e aktorëve dhe ishte i pranishëm në xhirime.

White e përshkroi Springsteen si shumë bujar dhe modest.

Filmi synon të tregojë jo vetëm historinë e një albumi, por edhe procesin krijues dhe shpirtin e Amerikës përmes perspektivës së Springsteen.

Për White, ky rol ishte një “hap besimi”, që e lidh me kureshtjen artistike dhe kërkimin e së vërtetës në art. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›