BRUKSEL – BE- ja arrin marrëveshje për mbrojtjen e ujërave nga kimikatet e përjetshme

BRUKSEL,24 shtator /ATSH-DPA/ – Negociatorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje dje në mbrëmje për të mbrojtur ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore në BE nga ndotësit, përfshirë të ashtuquajturat “kimikate të përjetshme”.
Ligji i ri do të përditësojë rregulloren aktuale të mbrojtjes së ujërave të bllokut duke shtuar substanca të reja për t’u kontrolluar dhe monitoruar.
Kimikatet e shtuara përfshijnë pesticide, ndërprerës endokrinë, një plastifikues dhe disa farmaceutikë, si edhe gati 50 substanca të ndryshme të njohura me akronimin PFAS (substanca per polifluoroalkile).
Këto kimikate, të përdorura gjerësisht në produkte industriale dhe artikuj të përditshëm, nuk shpërbëhen në mënyrë natyrale dhe mund të jenë të dëmshme si për shëndetin e njeriut, ashtu edhe për mjedisin.
Disa PFAS dyshohen se shkaktojnë dëmtime të mëlçisë si edhe kancer në veshka dhe testikuj.
“Kjo marrëveshje siguron që legjislacioni i BE-së për ujin të ecë në hap me shkencën dhe ndotësit e rinj”, tha ministri danez i Mjedisit, Magnus Heunicke, një nga negociatorët kryesorë.
“Ajo mbron shëndetin e qytetarëve të BE-së dhe brezave të ardhshëm duke ulur ekspozimin ndaj kimikateve të dëmshme në ujërat tona”, shtoi ai.
“Uji i pastër është i mirë për njerëzit, i mirë për mjedisin dhe i mirë për ekonominë tone, një investim që do të na shpërblejë shumëfish,” tha komisionerja e Mjedisit të BE-së, Jessika Roswall.
Vendet e BE-së duhet të përmbushin standardet e reja deri në vitin 2039. Për disa substanca, kërkesat duhet të zbatohen që në vitin 2033, ndërsa në raste të caktuara afati mund të zgjatet deri në vitin 2045.
Parlamenti Evropian dhe kryeqytetet e vendeve anëtare ende duhet të miratojnë marrëveshjen, por kjo konsiderohet një formalitet. /Ad.Ab./