E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: Hungaria ka dështuar në mbrojtjen e medias së lirë

BRUKSEL, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Hungaria po kufizon pavarësinë e gazetarëve dhe kompanive mediatike, tha sot Komisioni Evropian, ndërsa vendi përballet me një procedurë shkeljeje nga BE-ja.

Ky veprim rrjedh nga shkelje të shumta si të Aktit Evropian të Lirisë së Medias ashtu edhe të Direktivës së BE-së për Shërbimet e Medias Audiovizuale.

“Hungaria nuk i përmbahet dispozitave që ndalojnë ndërhyrjen në punën e profesionistëve të medias”, tha Komisioni Evropian.

Për më tepër, u zbulua se ligji hungarez nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për sinjalizuesit.

Ekziston gjithashtu një mungesë e mbrojtjes efektive gjyqësore në rastet kur këto të drejta shkelen.

Hungaria u kritikua gjithashtu për dështimin në përmbushjen e kërkesave që lidhen me median e shërbimit publik.

“Ajo nuk siguron transparencë të mjaftueshme në pronësinë e mediave dhe shkel rregulloret e BE-së për ndarjen e reklamave shtetërore”, sipas komisionit.

Së fundmi, ka shqetësime në lidhje me pavarësinë e rregullatorit kombëtar të medias.

Hungaria tani ka dy muaj kohë për t’u përgjigjur. Faza e fundit e përshkallëzimit është një padi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›