BRUKSEL – Belgjika kritikon ashpër planin për të përdorur asetet e ngrira ruse për hua për Kievin

BRUKSEL, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri belg, Bart De Wever kritikoi ashpër planet për të përdorur miliarda euro në asete ruse, aktualisht të ngrira në Belgjikë, për të financuar një kredi dëmshpërblimi për Ukrainën.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë propozuar përdorimin e fondeve të bllokuara të bankës qendrore ruse për t’i siguruar Ukrainës kredi shtesë deri në 140 miliardë euro.
Sipas Komisionit, rreth 200 miliardë euro në asete ruse janë ngrirë në BE për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Pjesa më e madhe e tyre mbahet nga depozita e letrave me vlerë me bazë në Bruksel, Euroclear.
Deri më tani, interesi mbi fondet e ngrira është përdorur për të mbështetur Ukrainën.
De Wever akuzoi mbështetësit e projektit për neglizhencë të rëndë ndaj rreziqeve dhe për mungesë përgjigjesh për pyetjet e hapura në margjinat e një samiti evropian në Kopenhagen.
Përveç rrezikut të konfiskimit të aseteve që u përkasin kompanive evropiane në Rusi, ai përmendi gjithashtu mundësinë e atentateve kundër kreut të Euroclear.
Për më tepër, çështjet ligjore nuk janë zgjidhur përfundimisht, paralajmëroi politikani belg.
Sipas planeve, Rusia do t’i merrte paratë mbrapsht vetëm nëse paguan dëmshpërblimet pas përfundimit të luftës.
Në rast se fondet e ngrira ruse duhet të lirohen papritur, vendet e BE-së duhet të ofrojnë garanci./ /os/