E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Marrëveshja tregtare BE-SHBA, një dokument relativisht i kufizuar

BRUKSEL, 8 korrik /ATSH-DPA/- Marrëveshja që është në negociata për të zgjidhur një mosmarrëveshje doganore midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vetëm disa faqe e gjatë, tha ligjvënësi i lartë i BE-së, Bernd Lange.

“Marrëveshja e mundshme kornizë është një dokument relativisht i kufizuar”, tha sot Lange, i cili kryeson Komisionin e Tregtisë së Parlamentit Evropian, duke shtuar se bisedimet po zhvillohen aktualisht mbi një tekst prej rreth tre faqesh.

“Një marrëveshje e mundshme mund të përfshijë një pakt të përgjithshëm mbi vëllime të caktuara të importit të automjeteve – të cilat më pas mund të tregtohen pa taksa ose me një normë të ulët taksash”, tha Lange.  Detajet do të sqarohen më vonë.

Lange paralajmëroi gjithashtu se koha shtesë e dhënë për të gjetur një zgjidhje të negociuar – duhet të përdoret për të gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të gjitha tarifat ekzistuese dhe të paralajmëruara.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shtyu dje afatin për tarifat e reja deri më 1 gusht.

Ky veprim synon të mbajë jashtë diskutimit tarifat e planifikuara të importeve ndërsa negociatat vazhdojnë, megjithëse shumë detaje mbeten të pazgjidhura, përfshirë mënyrën se si do të strukturohen marrëdhëniet e ardhshme tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›