E Martë, 3 Nëntor 2026

STRASBURG – ECHR : Gjobat e Rusisë ndaj “Google” nuk janë të ligjshme

STRASBURG, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) ka vendosur se gjobat e Rusisë ndaj “Google” nuk janë të ligjshme, duke konstatuar se Rusia ka shkelur lirinë e shprehjes.

Gjykatësit në Strasburg vendosën se ushtrimi i presionit ndaj kompanisë përmes gjobave të mëdha financiare – për të censuruar video apo përmbajtje të caktuara në platformën e saj të videove, është i papajtueshëm me mbrojtjen e lirisë së fjalës.

Në mënyrë specifike, rregullatori rus i medias ‘Roskomnadzor” kishte urdhëruar “Google” në vitet 2021 dhe 2022 të bllokonte disa përmbajtje në YouTube, përfshirë kanalin e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili vdiq në vitin 2024.

“Kompania nuk e zbatoi urdhrin për përmbajtjen politike dhe si rezultat u gjobit me dhjetëra miliarda rubla, ose rreth 525 milionë dollarë”, sipas gjykatës.

Gjykata konstatoi gjithashtu se “Google” u gjobit edhe për bllokimin e llogarive në YouTube dhe Gmail të televizionit “Tsargrad TV” – që sipas vendimit është në pronësi të një oligarku rus – të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – për mbështetjen e tij ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, ky vendim i ECHR-së ka gjasa të mos sjellë ndryshime praktike, pasi Rusia nuk i njeh vendimet e gjykatës. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›