E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Rutte në vizitë të papritur në Kiev

BRUKSEL, 22 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka udhëtuar në Kiev për të diskutuar garancitë perëndimore të sigurisë për Ukrainën, duke i përshkruar garancitë si një faktor të rëndësishëm për paqen e qëndrueshme në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur pas takimit të tij sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Rutte gjithashtu vlerësoi presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Trump priti javën e kaluar presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë dhe më pas zhvilloi një bisedë telefonike me Zelensky dhe aleatët evropianë të NATO-s në Uashington.

“Presidenti Trump e ka bërë këtë një përparësi, jo vetëm duke thyer ngërçin me Putinin, por duke e bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën”, tha Rutte.

Zelensky kërkon fonde për më shumë armë

Nga ana tjetër, Zelensky kërkoi ndihmë të mëtejshme në financimin e industrisë së armëve.

Ai tha se Ukraina ka potencial të madh, veçanërisht në prodhimin e dronëve.

“Nuk është sekret: Janë më shumë se 6 miliardë dollarë”, tha Zelensky në lidhje me nevojat financiare.

Presidenti i përshkroi dronët si arma numër një.

Githashtu, pati diskutime rreth financimit të blerjeve të armëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga vendet e NATO-s.

“E kemi diskutuar këtë me Rutte. Mund të jetë 1 miliard dollarë në muaj, ndoshta 1,5 miliardë dollarë”, tha Zelensky.

Rutte, i cili ishte një mbështetës gjatë udhëtimit të Zelensky në Uashington, u vlerësua nga presidenti ukrainas si një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm për Kievin që nga fillimi i luftës ruse.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus për gati tre vjet e gjysmë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›