BRUKSEL – Schieder: Shqipëria po ecën shumë mirë drejt BE-së, ka ndryshuar në mënyrë dramatike për mirë

BRUKSEL, 28 prill /ATSH/- Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder ka vlerësuar progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se objektivi për mbylljen e negociatave mund të arrihet brenda viteve 2027–2028.
Në një diskutim të zhvilluar në grupin e Social Demokratëve në Parlamentin Evropian, Schieder tha se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme, duke veçuar reformën në drejtësi, si një nga më të thellat në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Mendoj se është i arritshëm objektivi për të përfunduar të gjithë kapitujt e negociatave në vitin 2027 ose 2028 dhe më pas për të qenë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Schieder.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë theksoi gjithashtu se procesi i integrimit nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të brendshëm politik, por kërkon edhe angazhim në vendet anëtare të BE-së, për të shpjeguar transformimin e Shqipërisë.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të tregohet në shtetet anëtare historia – se Shqipëria ka ndryshuar për mirë në mënyrë dramatike dhe është një vend ndryshe nga perceptimet e mëparshme. Ky është një hap i rëndësishëm për suksesin e zgjerimit”, tha ai.
Në të njëjtën linjë, eurodeputeti holandez Thijs Reuten vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, duke thënë se dikur dukej pak realiste, ndërsa sot është bërë një perspektivë konkrete falë reformave të ndërmarra.
Sipas tij, përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor e ka bërë më realiste idenë e zgjerimit të Bashkimit Evropian – me anëtarë të rinj para vitit 2029.
Më 5 maj, Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian pritet të votojë raportin për Shqipërinë, i cili më pas do të shqyrtohet në një seancë plenare. //a.i/