E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Bizneset forcojnë pozicionin financiar, investimet e huaja arrijnë 17,4 miliardë euro

TIRANË, 25 shtator /ATSH/  Bizneset vijojnë të ruajnë një performancë të mirë financiare, ndërsa stoku investimeve të huaja direkte në vend ka arritur në 17,4 miliardë euro, duke u rritur me 12% në terma vjetorë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, pozicioni financiar i bizneseve është përmirësuar, me pozicionin neto debitor ndaj PBB-së që zbriti në 108% në fund të vitit 2025, nga 118% në vitet 2020-2021.

Ecuria pozitive e bizneseve është shoqëruar edhe me rritje të financimit bankar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, kredia për bizneset u mbështet nga rritja e financimit për investime dhe në valutë, ndërsa norma mesatare e interesit për kredinë e re në lekë dhe euro ishte rreth 6%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se performanca e mirë financiare ka ndihmuar në zbutjen e ngarkesës së borxhit të bizneseve. Sipas vrojtimeve, shumica e bizneseve kanë operuar me fitim, ndërsa shitjet kanë vijuar të shënojnë ecuri pozitive, veçanërisht tek ndërmarrjet e mëdha dhe sektori i ndërtimit.

Një tjetër tregues pozitiv është zgjerimi i kreditimit për individët, i cili u rrit me rreth 17% në terma vjetorë gjatë gjashtëmujorit të parë. Kontributin kryesor e dha kredia për blerjen e banesave, kryesisht në lekë.

Rritja e kreditimit është mbështetur edhe nga lehtësimi i standardeve të kredidhënies dhe rritja e shkallës së miratimit të aplikimeve për kredi, duke reflektuar një akses më të madh të bizneseve dhe familjeve në financim.

Ndërkohë, investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje të fortë veçanërisht në ndërtim, pasuri të paluajtshme dhe tregtinë me shumicë e pakicë.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›