SPANJË – Shkatërrohet një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës

MADRID, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Një rrjet i fuqishëm ndërkombëtar i trafikut të drogës është goditur rëndë – pas sekuestrimit të një sasie rekord prej 16 tonësh kokainë në portin e Hamburgut në vitin 2021, njoftoi sot policia spanjolle.
Gjithsej, janë arrestuar nëntë persona, shtatë në Lituani, një në Spanjë dhe një në Irlandë.
Rrjeti dyshohet se ka trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut, hashash nga Maroku dhe marijuanë të blerë në Spanjë – për ta shpërndarë më tej në vendet e tjera të Evropës, të paktën që nga viti 2021.
Policia tha se ky rrjet ishte përgjegjës për sasinë prej 16 tonë kokainë – që u gjet në Hamburg në një ngarkesë që vinte nga Paraguaji në vitin 2021.
Ky ishte konfiskimi më i madh i kryer ndonjëherë në Evropë, me një vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh (2,34 miliardë dollarë).
Gjatë operacionit të policisë u sekuestruan mbi 2 milionë euro, shtatë armë zjarri, më shumë se 100 kilogramë marijuanë, telefona të koduar, pajisje GPS dhe dokumente të ndryshme. /Ad.Ab./ /a.i/