E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla kërkon 1 minutë heshtje për dëshmorët e 2 prillit, Noka bllokon foltoren

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit është ndërprerë pasi deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka bllokoi foltoren, ndërsa deputetët e tjerë të opozitës rrethuan foltoren, duke penguar deputeten socialiste Bora Muzhaqi të merrte fjalën.

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, iu drejtua deputetëve duke theksuar se “me dhunë nuk merret fjala” dhe ndërpreu seancën për 5 minuta për qetësimin e situatës.

Gjatë seancës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi një minutë heshtje për katër dëshmorët e 2 prillit në Shkodër.  “Në emër të PS, sot në 2 prill do të ishte në nderin e Kuvendit të merrnim një minutë heshtje për katër dëshmorët e demokracisë. Ndërkohë që përkujtoj me dhimbje dëshmorët e 2 prillit, keqardhja më e madhe vjen nga PD që bën zhurmë kur kërkohet një minutë heshtje. Ky është degradimi më kuptimplotë i asaj që nuk ka mbetur më nga PD as dinjiteti minimal për të respektuar ata që kontribuuan me jetën e tyre”, u shpreh Balla.

Balla u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e debatit parlamentar mbi raportin e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili duhej të ishte diskutuar që në janar të këtij viti.

“Afatet janë shkelur, por mazhoranca është e gatshme të zhvillojë debat për këtë temë”, tha Balla.

Balla u ndal gjithashtu te reforma zgjedhore dhe e ardhmja e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Më duhet të hedh sytë edhe nga 31 marsi 1991 si zgjedhjet e para pluraliste. Sot, pas 35 vitesh, është në detyrën e Kuvendit të mendojmë sesi duhet të adresojmë zgjedhjet në Shqipëri, si të përmbyllim çdo reformë zgjedhore dhe si të garantojmë që Shqipëria në 2027 të zhvillojë zgjedhjet vendore me standardet më të mira, dhe në të njëjtën kohë të jemi të gatshëm për zgjedhjet parlamentare në 2029. Nuk ka dyshim që Shqipëria është në një fazë intensive përfundimtare të përafrimit me BE”, tha Balla.

PD bllokon foltoren e Kuvendit, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›