E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Kuvend pas rifillimit të seancës, PS kërkon masë disiplinore ndaj deputetes së PD Elda Hoti

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit rifilloi pas një ndërprerjeje 5-minutëshe nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës, ndërsa vijuan debatet mes palëve.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se grupi parlamentar i PS ka deputetë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe se deputetët e Shkodrës kanë kërkuar që, në këtë 35-vjetor, të propozohet mbajtja e një minute heshtje në përkujtim të dëshmorëve të demokracisë.

Ai theksoi se Partia Socialiste i respekton të gjithë dëshmorët.

Balla u shpreh se nuk kishte propozuar që minuta e heshtjes të mbahej menjëherë, por se do të ishte në nderin e Kuvendit që të gjendej një moment i përshtatshëm për mbajtjen e saj.

Balla u ndal edhe tek deklaratat në sallë për ish-kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi në lidhje me ngjarjen e 2 prillit.

“Sa i përket atyre që u thanë këtu për Gramoz Ruçin, apo përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste, ajo është një çështje për të cilën Gramoz Ruçi ka dalë me dëshirën e tij para drejtësisë, edhe drejtësia ka folur qartazi sa i përket çdo lloj insinuate politike të ngritur kundër figurës së Gramoz Ruçit”, tha Balla.

Balla bëri të ditur se Partia Socialiste ka depozituar një kërkesë për marrjen e masave ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti, e cila, sipas tij, pengoi fjalën e deputetes socialiste Bora Muzhaqi duke i marrë kartën.

“Marrja e kartës pamundësimi i fjalës së çdo deputeti është e palejueshme. Ajo dënohet sipas rregullores deputetja në fjalë e cila ka penguar deputeten tonë të mbajë fjalën ka marrë kartat do të përballet me sanksionet që ka rregullorja dhe që kërkesa jonë sapo është depozituar”, tha Balla.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›