E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla pret raportuesit e KiE-së: Të gatshëm të ecim para me opozitën për reformën zgjedhore dhe atë territoriale

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në takim raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionuț-Marian Stroe dhe Paweł Jabłoński.

Balla siguroi se mazhoranca është e gatshme të ecë përpara së bashku me opozitën me reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale.

Në fokus të takimit ishte edhe nisma ligjore e mazhorancës për referendumet, si forma e ushtrimit të drejtpërdrejtë të sovranitetit të popullit.

Balla theksoi se kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta, por e pamundësuar nga mungesa e ligjit.

Gjatë takimit Balla informoi se “Shqipëria garanton dhe respekton të drejtat e minoriteteve, ndërsa sa i përket lirisë së medias Kuvendi miratoi pak javë më parë dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët”.

“Shqipëria vijon me vendosmëri në rrugën e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shtoi ai.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›