Berisha thirrje deputetëve: Angazhohuni për anëtarësime të reja në PD

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sot thirrje deputetëve demokratë të angazhohen më shumë në procesin e anëtarësimeve të reja në parti, duke e cilësuar këtë si një tregues kyç për vlerësimin e punës së tyre.
Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha theksoi se në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhjet e brendshme, të cilat sipas tij kanë ecur në përgjithësi normalisht.
Ai nënvizoi se prioritet kryesor mbetet rritja e anëtarësimeve të reja, duke e cilësuar këtë proces si jetik për forcimin e partisë.
“Secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze të mundshme për anëtarësime të reja. Ky është një proces jetik për Partinë Demokratike”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e lidhi këtë thirrje edhe me fenomenin e emigrimit, duke e cilësuar atë si një problem madhor për vendin.
Sipas tij, largimi i qytetarëve ndikon drejtpërdrejt në bazën organizative të partisë dhe kërkon reagim të menjëhershëm.
Berisha theksoi se angazhimi për anëtarësime të reja duhet të vlerësohet maksimalisht dhe do të shërbejë si një nga kriteret kryesore për vlerësimin e punës së deputetëve.
“Është kushti i të gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë dhe të forcohet. Duhet ta marrim këtë proces me seriozitet maksimal”, përfundoi ai.
/gj.m/r.e/a.f/