Demo: Po analizohen modele të ndryshme për reformën territoriale

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot, pas mbledhjes së qeverisë, se nuk ka ende një qëndrim përfundimtar lidhur me reformën territoriale, ndërsa procesi i analizës vijon.
I pyetur nga gazetarët, Demo theksoi se në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar janë diskutuar modele të ndryshme, por pa një vendimmarrje të prerë.
“Nuk ka një qëndrim absolutisht as nga Partia Socialiste, as nga grupi parlamentar dhe aq më tepër brenda Komisionit të Posaçëm”, u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se procesi duhet të vijojë përpara, ndërsa analiza e modeleve të ndryshme është një praktikë normale.
Sipas tij, këto modele nuk janë të shpikura rishtazi, por bazohen në eksperienca të vendeve të tjera, të cilat kanë organizime të ndryshme territoriale.
Ai shtoi se në fokus mbeten specifikat e Shqipërisë dhe sfidat konkrete me të cilat përballet vendi.
Demo sqaroi se diskutimet e deritanishme kanë qenë paraprake dhe janë përqendruar në disa nga shtyllat kryesore mbi të cilat do të mbështetet reforma.
“Nuk ka një qëndrim kjo është shumë e saktë. Besoj që edhe informacioni që ka dalë nuk ka qenë i plotë. Aty janë diskutuar në parim disa prej kolonave kryesore ku kjo reformë duhet të mbështetet dhe besoj që kjo e bën procesin më të shëndetshëm dhe patjetër produkti përfundimtar do të jetë dhe më i mirë”, theksoi ministri.
/gj.m/a.f/r.e/