Rama: Momenti për të projektuar fitoren e zgjedhjeve të ardhshme vendore

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një takim në asamblenë e Partisë Socialiste, në njësinë 4 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se PS, ka nisur një proces të gjerë organizimi dhe komunikimi, jo vetëm brenda partisë, por edhe me mbështetësit dhe komunitetin. Ai theksoi se ky organizim synon të përgatisë partinë për zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Ne kemi nisur këtë proces brenda partisë, që synon të jetë një proces jo thjesht brenda partisë, por edhe rreth partisë; pra, jo vetëm me anëtarët, por edhe me mbështetësit tanë, por duke filluar nga asambletë, pastaj duke kaluar tek organizatat dhe pastaj duke hapur dyert edhe për komunitetin dhe duke i ftuar të gjithë mbështetësit tanë, simpatizantët, njerëzit që duan të flasin me ne, që të flasin me ne.
“Nuk është diçka e re, ne e kemi bërë këtë gjithmonë, sepse tanimë ky është momenti për të filluar punën dhe për të projektuar fitoren e zgjedhjeve të ardhshme vendore, që janë 14–15 muaj më tutje dhe duke bërë atë, që dimë të bëjmë si askush tjetër, të fillojmë përsëri nga vetja, nga organizimi dhe nga energjizimi, në radhë të parë, i forcës tonë politike”, tha Rama.
Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, Rama kujtoi rezultatin e PS-së, teksa shtoi se suksesi vjen nga organizimi dhe komunikimi me qytetarët.
“Vitin e shkuar morëm një fitore shembullore. Dolëm nga zgjedhjet me 83 mandate, të cilat duhet të keni dhe të kemi shumë mirë parasysh që nuk na i fal askush. Ne fitojmë sepse jemi forca më e madhe dhe forca më e organizuar në këtë vend. Ne fitojmë sepse jemi një parti politike, e cila asnjëherë nuk ka folur vetëm me veten në gjithë këtë periudhë, qysh se ne morëm mandatin e parë, por gjithmonë është përpjekur të flasë me njerëzit dhe të kuptojë njerëzit”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi reformën në drejtëi si një nga arritjet kryesore të Partisë Socialiste. Sipas Ramës, kjo reforma është realizuar pavarësisht sfidave dhe kundërshtive të shumta, si një hap i domosdoshëm për forcimin e shtetit të së drejtës në vend.
“Unë besoj që ne mund ta konsiderojmë veten, me krenari, një forcë politike që thotë gjërat që do të bëjë dhe bën gjërat që thotë dhe i qëndron gjërave që thotë për t’i bërë me këmbëngulje. Dhe shembulli i shembujve është reforma në drejtësi”, shtoi Kryeministri.
“Kur ne shkruanim programin elektoral, përpara se sa të fitonim zgjedhjet e para, ne flisnim për të përfshirë në program reformën në drejtësi dhe debati mes nesh ishte: si mund ta përfshijmë ne në programin elektoral një reformë që nuk është një reformë që mund ta bëjë një parti, qoftë edhe sikur ne të fitojmë zgjedhjet të vetëm? Dhe unë i thosha, së bashku me atë pjesë që mbronte të njëjtin mendim, që kjo duhet bërë me patjetër, i ka ardhur koha dhe, në një mënyrë apo në një tjetër, ne do ta bëjmë, por ne duhet ta vendosim aty dhe duhet ta shpalosim si qëllim, që ne duam të pavarësojmë drejtësinë në Shqipëri, e cila nuk ka qenë kurrë e pavarur, qysh nga dita e parë e themelimit të shtetit shqiptar në 1912”, vijoi ai.
“Dhe faktikisht, ne ia dolëm ta bëjmë këtë gjë, me të gjitha vështirësitë, me të gjitha konfliktet që u krijuan, kundërshtitë, me të gjitha të metat apo dobësitë. Ne ia dolëm të bëjmë dhe ia dolëm të bëjmë diçka që asnjë forcë politike në historinë e këtij vendi nuk e mori ndonjëherë përsipër për arsye të ndryshme. Këtë e ka bërë Partia Socialiste dhe kjo është një arsye për të qenë krenarë, në raport me fëmijët tanë dhe në raport me historinë që do të shkruhet nesër”, tha Rama.
1 nga 11/m.q/j.p/