E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Synojmë rritjen e sektorit mineral, përmirësojmë kapacitetet njerëzore

TIRANE, 29 prill /ATSH/ Kuadri ligjor i sektorit minerar po rishikohet për t’u përshtatur me Bashkimin Evropian, por edhe me nevojat e tregut shqiptar.

Kështu deklaroi zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në takimin, që u zhvillua sot në Fier, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, dhe ku u prezantuan arritjet kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, investimet e realizuara në këtë sektor, si dhe objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Ministrja Balluku u ndal te zhvillimi i sektorit minerar në vend dhe rëndësinë e shtimit të vlerave të produktit që nxirret nga nëntoka. “Deri tani ne e eksportojmë atë produkt siç del nga nëntoka, përveç disa iniciativave private. Synimi ynë është rritja e industrisë përpunuese, në rast se do t’ia dalim ta rrisim do të kalonim në një nivel tjetër të shtimit të vlerës së produktit, duke rritur volumin e eksporteve, por edhe të ardhurat që do të ketë sektori”, tha ajo.

Sipas Ballukut, kuadri ligjor për sa i përket sektorit hidroenergjetik, atij minerar dhe hidrokarbureve është dinamik, ndaj aktet dhe nën aktet ligjore po rishikohen për t’i përshtatur me BE-në, por edhe me nevojat e tregut shqiptar.

“Duhen përafruar, por edhe përshtatur me nevojën që tregu shqiptar ka. Nëse kemi plane duke futur zinxhirin e përpunimit të metaleve dhe minerareve shqiptare, ne duhet të biem dakord që çka na duhet për të avancuar është ngritja e kapaciteteve njerëzore. Sidomos në sektorin minerar që duhet thënë që ata që janë kontributor janë të moshave të thyera”, pohoi Balluku.

“Megjithëse kemi një fakultet shumë të mirë, ai i Gjeologji-Minierave, që prodhon stafe shumë të mira, ne duhet të përdorim Qendrën e Ekselencës dhe Inovacionit që kemi sot në Elbasan, që është një qendër rajonale e BE-së për të ngritur kapacitete njerëzore që duhet të jenë kontributore në sektorin minerar shqiptar, nëse duam ta nxjerrim nga situata që është dhe ta kalojmë në një situatë të shkëlqyer, siç kemi sektorin elektroenergjetik”, tha Balluku.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›