E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Nëse Kuvendi refuzon heqjen e mandatit të Ballukut, do trajtohet si bunker që duhet të shembet

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike depozituan sot në Kuvend, raportin e tyre të Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Gjatë një konference për shtyp, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, prezantoi detajet e plota se pse, sipas tij, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme duhet të mbështetet dhe duhet t’i hapet rrugë arrestimit të Belinda Ballukut.

Sipas tij, mazhoranca socialiste ka vendosur që të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin, ndërsa shtoi se kjo sjellje “antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë”.

Deputeti demokrat nënvizoi se PD në përfundim të shqyrtimit të Këshillit si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të çështjes, i rekomandon deputetëve që në seancën plenare të votojnë pro kërkesë së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur dhënën e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”,  në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda Balluku”, në kuadër të hetimeve, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Sipas Bardhit, provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht.

“Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë”, tha Bardhi.

Sipas tij, Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.

“Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku”, tha Bardhi.

Po ashtu sipas PD-së, provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin.

Bardhi shtoi se mbajtja e imunitetit nga Kuvendi në rastin konkret tregon haptazi mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe rrjedhimisht, përbën një hap pas në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Bardhi bëri të ditur se në ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Belinda Ballukut, PD do të thërrasë protestë para selisë së parlamentit.

“Ky do të ishte momenti më i rëndë në 35 vite demokraci që vë seriozisht në pikëpyetje ekzistencën e një shteti ligjor në vend. Sot dua të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Belinda Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara selisë së parlamentit. Që nga ai moment nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së prokurorisë dhe shndërrimit të Kuvendit në një bunker kundër drejtësisë për të mbrojtur të korruptuarit, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin e Shqipërisë si një bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do të duhet të shembet”, tha Bardhi.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›